Luka 19
19
Jezui dhe Zakeu
1Jezui hyri në Jeriko e po kalonte nëpër qytet. 2Aty ishte një njeri me emrin Zake. Ai ishte kryetagrambledhës dhe ishte i pasur. 3Zakeu po përpiqej të shihte kush ishte Jezui, por ishte shtatvogël e nuk mund ta shihte për shkak të turmës. 4Atëherë vrapoi përpara e hipi në një fik për ta parë, sepse Jezui po kalonte asaj rruge. 5Kur Jezui arriti aty, ngriti sytë e i tha: «Zake, zbrit shpejt, se sot duhet të ndalem në shtëpinë tënde». 6Zakeu zbriti me nxitim dhe e priti i gëzuar. 7Të gjithë ata që e panë këtë, filluan të murmuritnin: «Ky shkoi mik te një mëkatar». 8Zakeu, që rrinte në këmbë, i tha Zotit: «Ja, Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime e nëse i kam marrë ndokujt para me mashtrim, do t'ia kthej katërfish». 9Atëherë Jezui i tha: «Sot erdhi shpëtimi në këtë shtëpi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.
10Biri i njeriut ka ardhur për të kërkuar e për të shpëtuar atë që kishte humbur».
Dhjetë monedhat
(Mt 25.14-30)
11Ndërsa po e dëgjonin, Jezui u tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë, meqë ishte afër Jerusalemit dhe ata besonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej nga çasti në çast. 12Ai u tha: «Një fisnik shkoi në një vend të largët të kurorëzohej mbret e pastaj do të kthehej. 13Thirri dhjetë nga shërbëtorët e vet, u dha dhjetë monedha e u tha: “Vërini në punë derisa të kthehem unë!”. 14Por qytetarët e tij e urrenin dhe i dërguan nga pas një përfaqësi për t'i thënë: “Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne”. 15Kur ai u kthye, pasi u bë mbret, urdhëroi të thërrisnin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë para për të parë sesi i kishin përdorur. 16Erdhi i pari e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë dhjetë të tjera”. 17Ai i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë! Meqenëse u tregove besnik në gjënë më të vogël, do të kesh pushtet mbi dhjetë qytete”. 18Pastaj erdhi i dyti e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë pesë të tjera”. 19Ai i tha: “Edhe ti qeveris pesë qytete!”. 20Pastaj erdhi tjetri e tha: “Zotëri, ja ku e ke monedhën tënde. Unë e mbështolla me një garzë, 21se kisha frikë nga ti, që je i rreptë, që merr çfarë nuk ke dhënë e korr çfarë nuk ke mbjellë”. 22Ai i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë, unë do të të gjykoj nga fjalët e tua. Ti e paske ditur se unë qenkam i rreptë, se marrkam çfarë nuk kam dhënë e korrkam çfarë nuk kam mbjellë? 23Atëherë pse nuk e fute në bankë paranë time, që kur të kthehesha ta merrja bashkë me fitimin?”. 24Pastaj u tha atyre që ishin aty: “Merrjani monedhën e jepjani atij që ka dhjetë!”. 25Ata i thanë: “Zotëri, po ai i ka dhjetë monedha”. 26Ai u përgjigj: “Unë po ju them se kujtdo që ka, do t'i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. 27Ndërsa ata armiqtë e mi që nuk dëshironin të bëhesha mbreti i tyre, sillini këtu e vritini para syve të mi!”».
Hyrja në Jerusalem
(Mt 21.1-11; Mk 11.1-11; Gjn 12.12-19)
28Pasi tha këto, Jezui u priu për në Jerusalem. 29Kur iu afrua Betfagës e Betanisë, në vendin që quhet mali i Ullinjve, dërgoi dy prej dishepujve 30e u tha: «Shkoni në fshatin përballë e kur të hyni, do të gjeni të lidhur një kërriç, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri. Zgjidheni e silleni. 31Nëse dikush ju pyet se përse po e zgjidhni, i thoni kështu: “Zoti ka nevojë për të”». 32Atëherë, ata që dërgoi Jezui, u nisën dhe gjetën gjithçka, siç u kishte thënë ai. 33Kur po e zgjidhnin kërriçin, të zotët i pyetën: «Përse po e zgjidhni kërriçin?». 34Ata thanë: «Zoti ka nevojë për të».
35Atëherë ia sollën kërriçin Jezuit, i hodhën përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi të. 36Gjatë udhës njerëzit shtronin në rrugë rrobat e tyre. 37Kur iu afrua rrugës që zbret nga mali i Ullinjve, mbarë turma e dishepujve filloi të lavdërojë Perëndinë me gëzim e me zë të lartë për të gjitha veprat e fuqishme që kishin parë. 38Ata thoshin:
«Bekuar qoftë mbreti
që vjen në emër të Zotit!
Paqe në qiell
e lavdi në lartësitë e qiejve!».
39Disa nga farisenjtë që ishin në turmë i thanë Jezuit: «Mësues, urdhëroji dishepujt të heshtin». 40Por Jezui u përgjigj: «Unë po ju them, edhe po të heshtnin këta, gurët do të bërtisnin».
41Kur iu afrua qytetit dhe e pa, Jezui qau për të 42e tha: «Ah, sikur ta kuptoje edhe ti sot se nga vjen paqja! Por kjo është e fshehtë për sytë e tu. 43Po vijnë ditët kur armiqtë e tu do të hapin llogore rreth teje, do të të rrethojnë e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. 44Pastaj do të të shtrijnë përdhe ty dhe fëmijët e tu e nuk do të të lënë gur mbi gur, sepse ti nuk e njohe kohën kur Perëndia erdhi për të të ndihmuar».
Pastrimi i tempullit
(Mt 21.12-17; Mk 11.15-19; Gjn 2.13-22)
45Pastaj Jezui hyri në tempull e filloi të dëbonte ata që shisnin aty. 46Dhe u tha: «Është shkruar:
shtëpia ime
është shtëpi lutjeje,
por ju e keni bërë shpellë kusarësh».
47Jezui i mësonte njerëzit çdo ditë në tempull. Kryepriftërinjtë, shkruesit dhe krerët e popullit kërkonin ta vrisnin, 48por nuk dinin çfarë të bënin, sepse i gjithë populli mrekullohej kur e dëgjonte.
اکنون انتخاب شده:
Luka 19: AL1
هایلایت
به اشتراک گذاشتن
کپی
می خواهید نکات برجسته خود را در همه دستگاه های خود ذخیره کنید؟ برای ورودثبت نام کنید یا اگر ثبت نام کرده اید وارد شوید
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020