Baruku 2
2
1Zoti e mbajti fjalën që tha kundër nesh, kundër gjykatësve tanë, që gjykojnë në Izrael, kundër mbretërve tanë, kundër prijësve tanë dhe kundër çdo njeriu në Izrael e në Jude. 2Nën mbarë qiellin nuk është bërë siç bëri ai në Jerusalem, në përputhje me shkrimet e ligjit të Moisiut. 3Dikush nga ne hëngri mishin e të birit e dikush mishin e të bijës. 4Ai i dorëzoi nën pushtetin e të gjitha mbretërive që na rrethonin, si tallje e mjerim ndër të gjithë popujt përreth, ku i kishte shpërndarë Zoti. 5Ai i poshtëroi e nuk i lartësoi, se mëkatuan kundër Zotit, Perëndisë tonë e nuk e dëgjuan zërin e tij.
6Zotit, Perëndisë tonë, i takon drejtësia. Neve dhe etërve na e ka mbuluar fytyrën turpi gjer më sot. 7Të gjitha fatkeqësitë, që na i kishte parathënë Zoti, ranë mbi ne. 8Megjithatë, nuk i jemi lutur Zotit, duke hequr dorë secili nga mendimet e liga të zemrës së vet. 9Zoti qe gati për ndëshkim dhe na e dërgoi, se Zoti është i drejtë në të gjitha veprat e veta, që na i ka urdhëruar. 10Por ne nuk e dëgjuam zërin e tij, që të ecnim sipas urdhërimeve të Zotit që na i kishte parashtruar.
Përgjërimi
11E tani, o Zot, Perëndia i Izraelit, që e nxore popullin tënd nga dheu i Egjiptit me dorë të fortë, me mrekulli, me çudi, me fuqi të madhe e me krah të shtrirë dhe u bëre i bujshëm gjer më sot, 12ne kemi mëkatuar, u bëmë të pafe, bëmë padrejtësi, o Zot, Perëndia ynë, kundër të gjitha urdhëresave të tua. 13Largoje nga ne zemërimin tënd, se kemi mbetur një numër i vogël ndër kombet ku na ke shpërndarë. 14Dëgjoje, o Zot, lutjen dhe përgjërimin tonë e na çliro për hirin tënd. Na përkrah kundrejt atyre që na kanë shpërngulur, 15që ta dijë mbarë dheu se ti je Zoti, Perëndia ynë, se emri yt është thirrur në Izrael e në mbarë fisin e tij.
16O Zot, vështro nga banesa jote e shenjtë dhe mendo për ne. Vër vesh, o Zot, e dëgjo. 17Hapi, o Zot, sytë e tu e shiko, se të vdekurit në skëterrë, të cilëve u ka dalë shpirti nga trupi, nuk i japin as lavdi, as të drejtë Zotit, 18por shpirtngrysuri tej mase, që ecën kruspull, i mekur, me sy të venitur e me uri në shpirt do të të japë lavdi e të drejtë, o Zot.
19Ta paraqesim lutjen tonë për mëshirë, o Zot, Perëndia ynë, se nuk mbështetemi dot te veprat e drejta të etërve tanë e të mbretërve tanë. 20Ti e dërgove zemërimin dhe tërbimin tënd mbi ne, siç e shpallën shërbëtorët e tu, profetët, duke thënë: 21kështu thotë Zoti: përkulni kurrizin e shërbejini mbretit të Babilonisë, që të rrini në tokën që u dhashë etërve tuaj. 22Nëse nuk do ta dëgjoni zërin e Zotit e nuk do t'i shërbeni mbretit të Babilonisë, 23do ta shuaj nga qytetet e Judës dhe nga rrethinat e Jerusalemit zërin e haresë e zërin e ngazëllimit, zërin e dhëndrit e zërin e nuses dhe mbarë toka do të mbetet e shkretë e pa banorë. 24E ne nuk e dëgjuam zërin tënd, që t'i shërbenim mbretit të Babilonisë. Ti i mbajte fjalët që fole me anë të shërbëtorëve të tu profetë, se eshtrat e etërve e të mbretërve tanë do të hiqeshin prej vendit të tyre. 25Dhe, ja, kanë dalë në zhegun e ditës e në acarin e natës. Ata vdiqën me dhimbje të tmerrshme, prej urisë, shpatës e murtajës. 26Edhe tempullin që mban emrin tënd e katandise siç është sot, për shkak të ligësisë së shtëpisë së Izraelit e të shtëpisë së Judës.
Premtimet e Zotit
27Por ti, o Zot, Perëndia ynë, veprove me ne me tërë mirëdashjen tënde e me tërë përdëllimin tënd të madh, 28siç kishe thënë nëpërmjet profetit tënd Moisiut, kur e urdhërove të shkruante ligjin tënd para bijve të Izraelit e i the: 29nëse nuk e dëgjoni zërin tim, kjo turmë e madhe do të bëhet pakicë mes kombeve ku do t'i shpërndaj. 30E di se nuk do të më dëgjojnë, se është popull kokëfortë, por në dheun e mërgimit do të vijnë në vete 31e do ta marrin vesh se unë jam Zoti, Perëndia i tyre. Unë do t'u jap zemër e veshë që dëgjojnë. 32Ata do të më lëvdojnë në mërgim e do ta kujtojnë emrin tim. 33Do të heqin dorë nga kokëfortësia e nga veprat e liga, se do t'u kujtohen udhët e etërve të tyre që mëkatuan kundër Zotit. 34Atëherë do t'i kthej në tokën që u betova t'ua jepja etërve të tyre, Abrahamit, Isakut e Jakobit. Ata do ta marrin në zotërim dhe unë do t'i shumoj e nuk do të pakësohen. 35Do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme, që unë të jem Perëndia i tyre e ata të jenë populli im. E unë nuk do ta lëviz më popullin tim Izraelin nga toka që u kam dhënë.
Aktualisht i përzgjedhur:
Baruku 2: AL1
Thekso
Ndaje
Copy

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020