Baruku 3
3
1O Zot i gjithëpushtetshëm, Perëndi i Izraelit, shpirti i ndrydhur e fryma e flashkët klithin drejt teje. 2Dëgjo, o Zot, e ki mëshirë, se kemi mëkatuar kundër teje. 3Se ti ke zënë vend përgjithmonë, por ne përgjithmonë vdiremi. 4O Zot i gjithëpushtetshëm, Perëndi i Izraelit, dëgjoje lutjen e bijve të Izraelit, të bijve të atyre që mëkatuan kundër teje, që nuk e dëgjuan zërin e Zotit, Perëndisë së tyre, e prandaj na ranë të ligat. 5Mos i kujto paudhësitë e etërve tanë, por kujto fuqinë dhe emrin tënd, këtë herë. 6Ti je Zoti, Perëndia ynë, e ty të lavdërojmë, o Zot, 7se ti na ke shtënë në zemër drojën tënde, që ne të thërrasim emrin tënd. Ne do të të lëvdojmë në mërgim, se e kemi larguar nga zemrat tërë paudhësinë e etërve tanë që mëkatuan kundër teje. 8Ja, sot jemi në mërgim, atje ku na ke shpërndarë si turp, mallkim e ndëshkim për të tëra paudhësitë e etërve tanë që e braktisën Zotin, Perëndinë tonë.
Urtia
9Dëgjoi, o Izrael, urdhërimet e jetës,
vër vesh, që të njohësh urtinë.
10Pse vallë, o Izrael, pse je në dheun e armiqve
e po plakesh në dhe të huaj?
11Je përdhosur me të vdekurit,
rreshtohesh me ata që shkojnë në skëterrë.
12Ti e braktise gurrën e urtisë.
13Po të kishe ecur në udhën e Perëndisë,
do të jetoje në paqe përgjithmonë.
14Mëso ku gjendet urtia,
ku është forca,
ku është kuptimi,
që të marrësh vesh
ku është jetëgjatësia e jeta,
ku është drita e syve e paqja.
15Kush ia ka gjetur vendndodhjen?
Kush ka hyrë te thesaret e saj?
16Ku janë prijësit e kombeve
dhe sunduesit e egërsirave të dheut,
17ata që argëtohen me zogjtë e qiellit,
që mbledhin argjend e ar,
që njerëzit u besojnë
e nuk u sosen pronat,
18që e punojnë argjendin me kujdes
e veprave të tyre s'u gjendet filli?
19Janë zhdukur, kanë zbritur në skëterrë
e të tjerë ua kanë zënë vendin.
20Lindën më të rinjtë dhe e banuan tokën,
por s'e mësuan udhën e njohurisë,
21nuk i kuptuan shtigjet e saj,
as u morën me të.
Edhe bijtë e vet u larguan prej udhëve të tyre.
22As u dëgjua në Kanaan,
as nxori zë në Teman.
23Bijtë e Hagarës, hulumtues përmbi dhe,
tregtarët e Meranit e të Temanit,
tregimtarët e hulumtuesit
nuk e mësuan udhën e urtisë,
nuk i nxunë shtigjet e saj.
24O Izrael, sa e madhë është shtëpia e Perëndisë,
sa i gjerë vendi që ai zotëron.
25Është i madh e nuk ka caqe,
i lartë e i pamatshëm.
26Atje lindën viganët,
të njohur që në lashtësi,
shtatlartë e të mësuar me luftë.
27Perëndia nuk i zgjodhi,
as u dha udhën e njohurisë,
28prandaj u borën, se s'patën urti,
u borën prej marrëzisë së vet.
29Kush u ngjit në qiell dhe e rroku urtinë
e pastaj e zbriti nga retë?
30Kush kaptoi detin dhe e gjeti
e pastaj e bleu me ar të zgjedhur?
31Askush s'e njeh udhën e saj
e s'e merr vesh shtegun e saj.
32Por, ai që di gjithçka, e njeh,
e ka zbuluar falë mençurisë së vet,
ai që e krijoi tokën për kohën e amshuar
dhe e mbushi me krijesa katërkëmbëshe,
33ai që dërgon dritën e ajo niset,
e thërret e i bindet me drithërim.
34Yjet vezulluan në vendrojat e veta
e u ngazëlluan.
35Ai i thirri e iu përgjigjën: ja ku jemi!
Dhe vezulluan ngazëllueshëm për krijuesin e tyre.
36Ai është Perëndia ynë,
askush tjetër nuk matet me të.
37Ai e hetoi tërë udhën e diturisë,
ia dha Jakobit, shërbëtorit të vet,
dhe Izraelit të tij të dashur.
38Pastaj ajo u shfaq mbi dhe
e bashkëjetoi me njerëzit.
Aktualisht i përzgjedhur:
Baruku 3: AL1
Thekso
Ndaje
Copy

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020