Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Siraku 49

49
1Kujtimi i Josisë temjan i përzier,
përgatitur me zejen e barnatorit,
i ëmbël si mjaltë në çdo gojë,
si muzika në një gosti vere.
2Ai i dha drejtim kthimit të popullit,
zhduku ndyrësitë e paudhësisë.
3E drejtoi zemrën drejt Zotit,
vendosi shpirtin besimtar në kohën e paudhësisë.
4Përveç Davidit, Ezekisë e Josisë,
të gjithë bënë shkelje,
se braktisën ligjin e të Tejlartit
e morën fund mbretërit e Judës.
5Ua dhanë të tjerëve fuqinë,
kombeve të huaja lavdinë.
6I vunë flakën qytetit të zgjedhur për shenjtërore,
ia shkretuan rrugët,
7siç thotë Jeremia, të cilit i bënë keq,
ndonëse ishte shenjtëruar profet që në bark të nënës,
për të zhbirë, për të rrënuar e shkatërruar,
por edhe për të ndërtuar e për të mbjellë.
8Vegimin e lavdisë e pa Ezekieli,
ia dëftoi Zoti mbi karrocën e kerubëve.
9U kujtua për armiqtë në stuhi,
u bëri mirë atyre që ishin në rrugë të drejtë.
10Eshtrat e dymbëdhjetë profetëve
u përtëritshin atje ku prehen!
E ngushëlluan popullin e Jakobit,
e çliruan me besim shpresëplotë.
11Si ta madhërojmë Zorobabelin?
Ishte si vulë në dorën e djathtë.
12Po Jozuehun, birin e Jocadakut?
Në kohën e tyre e ndërtuan shtëpinë,
i ngritën tempull shenjtërisë së Zotit,
e përgatitën për lavdinë e të amshuarit.
13Edhe kujtimi i Nehemisë do të ruhet gjatë,
ai ngriti muret tona të rëna,
u vuri dyer e shula,
na ringriti shtëpitë.
14Askush s'është krijuar mbi tokë si Enoku,
prandaj u mor nga toka.
15S'u lind asnjeri si Jozefi,
prijësi i vëllezërve, mbështetja e popullit.
Eshtrat e tij u ruajtën.
16Semi e Seti qenë të lavdishëm ndër njerëz,
por Adami ua kalon tërë të gjallëve të krijuar.

Aktualisht i përzgjedhur:

Siraku 49: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr