Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Urtia 14

14
Ndihma e vërtetë
1Dikush tjetër, gati të kalojë mes dallgëve të egra
i lutet një druri më të kalbur se lundra që e mban.
2E sajoi dëshira për pasuri,
e ndërtoi urtia e zejtarit.
3Por lundrën, o Atë, e drejton kujdesi yt.
Ti i çele udhë në det,
në mes të dallgëve shtegun e sigurt.
4Tregove se sjell shpëtim nga çdo rrezik,
që të lundrojë edhe i paafti.
5Ti dëshiron që veprat e urtisë sate të mos jenë pa dobi,
prandaj njerëzit ia besojnë jetën një dërrase të hollë,
e kalojnë furtunën mbi një trap dhe shpëtojnë.
6Që në fillim të botës, kur u shfarosën gjigandët krenarë,
shpresa e botës gjeti strehë në një lundërz,
drejtuar nga dora jote,
i la botës farën e një breznie të re.
7Bekuar qoftë druri,
se prej tij vjen drejtësia.
8Por, mallkuar qoftë idhulli i gdhendur me dorë,
bashkë me atë që e krijoi,
se e punoi dhe e quajti perëndi sendin që kalbet.
9Të urryer janë për Perëndinë
edhe i pafeu, edhe paudhësia e tij.
10Edhe sendi i punuar, edhe ai që e gdhendi,
do të ndëshkohen.
11Idhujt e kombeve do të ndëshkohen,
se u bënë pështirësia e krijesave të Perëndisë,
pengesë për shpirtrat e njerëzve,
kurth për këmbët e të marrëve.
12Shpikja e idhujve është fillimi i kurvërisë,
sajesa e tyre është prishja e jetës.
13Nuk ishin në fillim
e nuk do të jenë në amshim.
14Hynë në botë prej kotësisë njerëzore,
prandaj u është caktuar një fund i beftë.
15Atit i sëmbon morti i parakohshëm,
të birit që shkoi papritur i bëri një shëmbëllim,
atë që vdiq dikur,
si perëndi e nderon tani
dhe shërbëtorëve u lë rite e të fshehta.
16Doket e pafe i forcon koha
e mbahen si ligj,
17me urdhër sunduesish
adhurohen shtatoret.
Njerëzit, që s'i nderonin dot nga afër, se banonin larg,
e përfytyruan nga larg trajtën e tyre
dhe bënë shëmbëllimin e mbretit që nderonin.
Atë që nuk ishte e lajkatuan si të ishte.
18Zelli i zejtarit i shtyu ta adhuronin më shumë
edhe ata që nuk e njihnin mbretin.
19Zejtari, për t'i pëlqyer mbretit,
e përsosi shëmbëllimin dhe e bëri më të hijshëm.
20Turma, joshur nga hijeshia e punës,
adhuroi njeriun që pak më parë nderonte.
21Kjo u bë kurth për jetën,
sepse, njerëzit, skllevër të mjerimit e robërisë,
i vunë gurit e drurit emrin që s'mund të thuhet.
22Përveçse u gabuan në njohjen e Perëndisë,
jetuan në mosmarrëveshje prej mosdijes
dhe paqe i quajtën këto lëngata të mëdha.
23Kryejnë rite e të fshehta me vrasje fëmijësh
e jepen në gosti të shfrenuara sipas dokeve të huaja.
24As jetën e as martesat nuk i ruajnë të pastra,
vriten tradhtisht e poshtërohen me kurorëshkelje.
25Kanë ngatërruar gjithçka:
gjakun e vrasjen, vjedhjen e mashtrimin,
shthurjen, pabesinë, grindjen, benë e rreme,
26ngucjen e të mirëve, mosmirënjohjen,
molepsjen e shpirtit, shtrembërimin e natyrës,
prishjen e martesave, kurvërinë e fëlligështinë.
27Adhurimi i idhujve pa emër
është fillimi, shkaku dhe fundi i çdo ligësie.
28Adhuruesit e tyre marrosen, bëjnë profeci të rreme,
jetojnë në padrejtësi, ose bëjnë be të rreme kot.
29Besojnë në idhujt pa shpirt
e nuk kanë frikë nga ndëshkimi për benë e rreme.
30Do të ndëshkohen për dy gjëra:
menduan keq për Perëndinë dhe adhuruan idhujt,
u betuan me mashtrim dhe përçmuan hyjnoren.
31Gjyqi i mëkatarëve
dhe jo fuqia e idhujve ku betohen,
do t'i ndjekë të padrejtët që bëjnë shkelje.

Aktualisht i përzgjedhur:

Urtia 14: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr