Lajm i mirë, gëzim i madh: 25 lexime devocionale për AdventinShembull
Shpëtimi më i madh që mund të përfytyrojmë
Perëndia është i drejtë, i shenjtë dhe i veçuar nga mëkatarët si ne. Ky është problemi ynë kryesor në kohën e Krishtlindjes–dhe në çdo kohë tjetër. Si mund ta rregullojmë marrëdhënien me një Perëndi të drejtë dhe të shenjtë?
Prapëseprapë, Perëndia është i mëshirshëm dhe ka premtuar te Jeremia 31 (pesëqind vjet para Krishtit) që një ditë do të bënte diçka të re. Ai do t’i zëvendësonte hijet me realitetin e Mesias. Perëndia do të vepronte fuqishëm në jetën tonë dhe do ta shkruante vullnetin e Tij në zemrat tona, në mënyrë që të mos jemi të shtrënguar nga jashtë, por të vullnetshëm nga brenda për ta dashur Atë, për t’i besuar dhe për ta ndjekur.
Ky do të ishte shpëtimi më i madh që mund të përfytyronim–nëse Perëndia do të na ofronte realitetin më të madh në univers për ta shijuar dhe pastaj të vepronte brenda nesh për t’u siguruar që ne do ta shijonim këtë shpëtim me gëzimin dhe lirinë më të madhe të mundshme. Kjo do të ishte një dhuratë Krishtlindjeje, për të cilën do t’ia vlente të këndonim.
Në fakt, kjo është ajo që Ai premtoi në besëlidhjen e re, por që kishte një pengesë të madhe: mëkati ynë. Ndarja nga Perëndia për shkak të padrejtësisë tonë.
Si mundet një Perëndi i shenjtë dhe i drejtë të na trajtojë ne mëkatarët me aq shumë mirësi sa të na japë realitetin më të madh në univers (Birin e Tij) që të kënaqemi me Të, me gëzimin më të madh të mundshëm?
Përgjigjja është se Perëndia i vendosi mëkatet tona mbi Birin e Tij dhe atje i gjykoi, që të mund t’i largonte prej mendjes së Tij dhe të na trajtonte mëshirshëm, e në të njëjtën kohë të mbetej i drejtë dhe i shenjtë. Hebrenjve 9:28 thotë: “... kështu edhe Krishti, pasi u dha një herë për të marrë mbi vete mëkatet e shumë njerëzve.” (versioni “Së Bashku”)
Krishti mbarti mëkatet tona në trupin e Tij kur vdiq (1 e Pjetrit 2:24). Ai mori gjykimin tonë (Romakëve 8:3). Ai e shfuqizoi fajin tonë (Romakëve 8:1). Kjo do të thotë se mëkatet tona janë hequr (Veprat 10:43). Ato nuk janë në mendjen e Perëndisë si një shkak për të na dënuar. Në atë kuptim, Ai i “harron” mëkatet tona (Jeremia 31:34). Ato janë konsumuar në vdekjen e Krishtit.
Kjo do të thotë se tani Perëndia është i lirë në drejtësinë e Tij, për të na bekuar bujarisht me bekimet e patregueshme të besëlidhjes së re. Ai na jep Krishtin, realitetin më të madh në univers, që ne ta shijojmë. Ai e shkruan vullnetin e Tij–zemrën e Tij–në zemrat tona, në mënyrë që ta duam, t’i besojmë dhe ta ndjekim Krishtin nga brendësia e qenies tonë, me liri dhe gëzim.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Adventi ka të bëjë me adhurimin e Jezusit. Zhytuni për disa çaste çdo ditë dhe largohuni me diçka që do ta ushqejë gëzimin tuaj në Perëndinë gjatë kësaj stine Krishtlindjeje.
More
Ne dëshirojmë të falënderojmë Qendrën "IGNIS" në Shqipëri për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutem vizitoni https://dritez.al/lajm-i-mire-gezim-i-madh/