Ura për te MarkuShembull
Lebrosi i pastruar
Lebra është një sëmundje e cila e bren dhe shkatërron trupin e njeriut. Njerëzit me lebër humbasin gjymtyrët e tyre, gishtërinjtë e dorës dhe të këmbës, hundën e veshët. Një burrë me lebër nuk ishte vetëm i sëmurë, ai ishte edhe i papastër. Kjo nuk do të thoshte se ishte fizikisht i papastër. Për më tepër, sipas ligjeve të Perëndisë, ai nuk lejohej të qëndronte as në shtëpi dhe as në kishë. Askush nuk lejohej ta prekte. Edhe nëse ishte i martuar dhe kishte fëmijë, ai nuk mund t’i përqafonte dhe as të përqafohej prej tyre. Kjo ishte një jetë shumë e vetmuar. Zoti e kishte urdhëruar këtë për të na dhënë një tablo, e cila tregon se çfarë na shkakton mëkati. Jeta e një lebrosi është një tablo krejt e zbehtë e ferrit. Ai është një vend i vetmuar, përplot me vuajtje, ku askush, asnjëherë, nuk do t’ju japë një përqafim! Një vend ku ndihet vetëm zemërimi i Perëndisë.
Mëkatet tona janë si lebra; ato na kanë shkualifikuar, na kanë bërë të papërshtatshëm për shtëpinë e Perëndisë (parajsën), si dhe për të qenë së bashku me Kishën e Perëndisë në parajsë. Vetëm Zoti Jezus mund të na e heqë këtë “papërshtatshmëri”. Vini re: Ai e preku atë njeri. Me atë prekje, Ai në të vërtetë po deklaronte: “Unë jam i përgatitur të bëhem si ju, në lebrën tuaj, jam i gatshëm të zë vendin tuaj. Unë do të jem zëvendësuesi juaj”. Ne mund të shpëtohemi nga Zoti Jezus, vetëm kur Ai zë vendin tonë. Ungjilli deklaron se Jezu Krishti është i gatshëm të marrë vendin e mëkatarit.
Ashtu si efektet e lebrës, që e përçudnonin njeriun, ashtu janë edhe efektet e mëkatit. A e kuptoni se si mëkati e shëmton zemrën tonë? Të qenët egoist është një gjë e shëmtuar. Të qenët krenar, po ashtu. Të gjitha ato mëkate na bëjnë të papastër.A ndieni diçka nga “lebra” e mëkatit? Nëse jo, përkulni gjunjët para Zotit dhe kërkojini t’ju bëjë të ndjeshëm ndaj saj. Lexoni Fjalën e Perëndisë për të kuptuar se në çfarë mënyrash jeni një “lebros” frymëror. Por, nëse e ndieni barrën e mëkatit, atëherë shkoni edhe ju te Zoti si ai lebros. Kërkojini Atij t’ju bëjë të pastër. Ungjilli deklaron se Jezu Krishti është i gatshëm t’ju pastrojë dhe se Ai ka zënë vendin e mëkatarit.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al