Lajm i mirë, gëzim i madh: 25 lexime devocionale për AdventinShembull
Për njerëzit e vegjël të Perëndisë
A e ke menduar ndonjëherë sa e mahnitshme është që Perëndia e caktoi më përpara që Mesia të lindte në Betlehem (ashtu si na tregon profecia e Mikeas 5)? A të ka mahnitur fakti që Ai i caktoi gjërat në atë mënyrë që kur të vinte koha, nëna e Mesias dhe babi i tij ligjor të mos jetonin në Betlehem, por në Nazaret?
Po për faktin që për të përmbushur fjalën e Tij dhe për t’i sjellë këta dy njerëz të panjohur, të parëndësishëm dhe të vegjël në Betlehem atë Krishtlindje të parë, Perëndia vendosi në zemrën e Cezar Augustit që e gjithë Perandoria Romake të regjistrohej, secili në qytetin e tij? Një dekret për të gjithë botën që dy njerëz të bëjnë 110 kilometra rrugë!
A je ndier ndonjëherë si unë, i vogël dhe i parëndësishëm në një botë me shtatë miliardë njerëz, ku të gjitha lajmet janë vetëm për lëvizjet e mëdha politike, ekonomike dhe shoqërore, si dhe për njerëzit e jashtëzakonshëm, të famshëm për botën dhe me shumë pushtet e prestigj? Nëse je ndier kështu, mos u dekurajo dhe mos u mërzit.
Në Shkrime nënkuptohet se të gjitha forcat gjigande politike dhe të gjithë komplekset e mëdha industriale, madje pa dijeninë e tyre, po drejtohen prej Perëndisë, jo për hir të tyre, por për hir të njerëzve të thjeshtë të Perëndisë–Marias së vogël dhe Jozefit të vogël, që duhet të shkojnë nga Nazareti në Betlehem.
Perëndia vë në lëvizje një perandori të tërë për të përmbushur fjalën e Tij dhe për të bekuar fëmijët e Tij.
Mos mendo se për shkak se përjeton armiqësi në botën e vogël të përvojave të tua, dora e Zotit është shkurtuar. Me gjithë zemrën e Tij, Ai po kërkon shenjtërinë tonë, jo begatinë apo famën tonë. Dhe me këtë synim në mendje, Ai e sundon gjithë botën. Ashtu si na thuhet te Fjalët e Urta 21:1: “Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai.”
Ai është një Perëndi i madh për njerëz të vegjël dhe ne kemi një arsye të madhe për t’u ngazëlluar, që edhe pa e ditur ne, të gjithë mbretërit, presidentët, kancelarët dhe kryeministrat e botës ndjekin dekretet sovrane të Atit tonë në qiell, që ne, fëmijët e Tij, të mund të përshtatemi me shëmbëllimin e Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe më pas të hymë në lavdinë e Tij të përjetshme.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Adventi ka të bëjë me adhurimin e Jezusit. Zhytuni për disa çaste çdo ditë dhe largohuni me diçka që do ta ushqejë gëzimin tuaj në Perëndinë gjatë kësaj stine Krishtlindjeje.
More
Ne dëshirojmë të falënderojmë Qendrën "IGNIS" në Shqipëri për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutem vizitoni https://dritez.al/lajm-i-mire-gezim-i-madh/