Agimi i Gëzimit të pashkatërrueshëmShembull
Krishtlindja e ndau historinë në mes
Ka diçka jashtëzakonisht të rëndësishme që duhet zotëruar, në mënyrë që të kuptojmë mësimin biblik rreth profecisë dhe përmbushjes.
Shpesh ne mendojmë për profecinë si diçka që ka të bëjë me të ardhmen, apo me atë që tashmë ka nisur të ndodhë në botë. Fare lehtë harrojmë, se ajo që është e shkuar për ne ishte e ardhme për profetët. Ajo që kemi nevojë të kujtojmë është se me ardhjen e Jezu Krishtit në botë filluan ditët e përmbushjes, që u shpallën prej gjithë profetëve.
Qysh nga Krishtlindja e parë, ne kemi qenë duke jetuar në këto ditë. “Ditët e fundit”, të parathëna nga profetët, nuk janë shekulli i njëzetë e një. Ditët e fundit nisën në vitin 1 pas Krishtit.
Kjo është dëshmia uniforme e Dhiatës së Re. Pali tha te 1 e Korintasve 10:11 se ngjarjet e Dhiatës së Vjetër u ndodhën atyre “si shembuj, por u shkruan për udhëzimin tonë, për ne te të cilët ka arritur fundi i epokës.” Për Palin, fundi i epokës nuk ishte pas dy mijë vjetësh në shekullin e njëzetë e një.
Jo! Fillimi i fundit tashmë ishte i pranishëm që në shekullin e parë. Mesia i shumëpritur, kishte ardhur. Prandaj, shkrimtari i Hebrenjve 1:1-2 thotë: “Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, në këto ditët e fundit, na foli me anë të Birit.” Kur Perëndia e dërgoi Birin e tij në botë, filluan ditët e fundit.
Është privilegj i madh të jetojmë në ditët e fundit, për shkak se Joeli profetizoi: “Në ato ditë, Unë (Perëndia) do të përhap Frymën tim mbi çdo mish...” (Joeli 2:28). Të gjithë profetët mezi prisnin ditën, kur do të vinte Mesia, Biri i Davidit, Mbreti i Izraelit, për shkak se kjo do të ishte dita e bekimit të madh për popullin e Perëndisë. Tani Ai ka ardhur, mbretëria e Tij është përuruar dhe ne jetojmë në epokën e përmbushjes.
Ajo që presim në të ardhmen, në ardhjen e dytë të Krishtit, nuk është diçka krejtësisht e re, por përkundrazi, përjetimin e bekimeve i gëzojmë që tani, për shkak se premtimet kanë filluar të përmbushen në jetën tonë.
Krishtlindja e ndau historinë në dy epoka: në epokën e premtimit dhe në epokën e përmbushjes. Prandaj, kur Pjetri thotë te Veprat 3:24: “Por edhe të gjithë profetët... i kanë paralajmëruar këto ditë”, kuptojmë se ai do të thotë “në këto ditët e fundit” (Hebrenjve 1:2), në të cilat Perëndia na ka folur përmes Birit të Tij, në ditët që nga Krishtlindja e parë e deri në kohën e përmbushjes së plotë, e cila është duke ardhur.
Ne jetojmë në këtë epokë. Masa e plotësimit të tanishëm është e jashtëzakonshme: mishërimi, kryqëzimi, shlyerja, pajtimi, ringjallja, ngjitja, mbretërimi qiellor, ndërmjetësimi, derdhja e Frymës së Shenjtë, misionet globale, mbledhja e kombeve, kisha, Shkrimet e Dhiatës së Re, lutja në emrin e Jezusit, gëzimi i patregueshëm dhe siguria e blerë.
Ka edhe një aspekt ende të ardhshëm, i cili është i mrekullueshëm dhe për të cilin jemi duke pritur: ardhja e dytë, ringjallja e të vdekurve, trupat e rinj dhe të lavdishëm, fundi i mëkatit, përlëvdimi, gjykimi i gjithë mosbesimit, shpërblimet, hyrja në gëzimin e Zotit tonë, toka e re dhe qielli i ri, Jezusi i pranishëm mes popullit të Tij ballë për ballë, jo më mjerim, por kënaqësi e përjetshme.
Krishtlindja e ndau historinë në mes. Parashikimet e së ardhmes janë të bollshme. Shuajeni etjen me atë që Ai realizoi për ne dhe mbushuni me shpresë, për gjithçka që po vjen.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Gëzimi që Jezusi po sillte në botë ishte si asnjë gëzim tjetër në histori. Sapo ta kemi marrë këtë gëzim, asgjë nuk mundet ta shkatërrojë...Veçoni kohë dhe qetësi për veten tuaj këtë stinë Krishtlindjeje dhe kërkoni për këtë përjetim.
More
Ne dëshirojmë të falënderojmë IGNIS Ministry Albania për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/tematika/agimi-i-gezimit/