Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Agimi i Gëzimit të pashkatërrueshëmShembull

Agimi i Gëzimit të pashkatërrueshëm

DITA 3 NGA 25

 Afroju Shpëtimtarit

Një nga gjërat e pëlqyeshme në sytë e Perëndisë është që populli i Tij të vazhdojë t’i afrohet Atij përgjithmonë. Kështu që Ai po e bën këtë gjë brenda nesh.

Hebrenjve 13:21 thotë se Ai po e bën këtë “me anë të Jezu Krishtit”, gjë e cila, të paktën, do të thotë se Jezusi e ka blerë këtë hir për ne përmes vdekjes së Tij dhe se Ai i lutet dhe ia kërkon Atit këtë gjë, në bazë të vdekjes së Tij.

Me fjalë të tjera, kur shkrimtari i Hebrenjve na thotë që të afruarit te Perëndia është ajo që na kualifikon për veprën e përjetshme shpëtuese të Kryepriftit tonë, ai nuk do të thotë se Kryeprifti ynë na braktis në prirjen tonë mëkatare dhe në rezistencën tonë të natyrshme, sikur të kishim mundësi t’i afroheshim vetë Perëndisë. 

Përkundrazi, Kryeprifti ynë ndërhyn për ne dhe i kërkon Atit që të bëjë ekzaktësisht atë që Hebrenjve 13:21 thotë se do të bëjë—Ai do të punojë në ne, atë që është e pëlqyeshme përpara Tij—“me anë të Jezu Krishtit”.

Më lejo ta ilustroj këtë gjë, në mënyrën si dukej Kryeprifti ynë, kur ishte mbi tokë. Te Luka 22:31-32, Jezusi i thotë Pjetrit: “Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t’ju shoshë ashtu siç shoshet gruri. Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të kthehesh, forco vëllezërit e tu.” 

Kështu që Jezusi tashmë po ndërmjetësonte të vetët qëkurse ishte në tokë. Ai po lutej që besimi i Pjetrit—besimi i tij—besimi ynë—të mos mpaket.

Për më tepër, ai ishte aq i sigurt në lutjen e tij për Pjetrin saqë i tha: “kur të jesh kthyer” dhe jo “nëse kthehesh”. Edhe pse Pjetri u rrëzua dhe e mohoi Krishtin, besimi i tij nuk dështoi plotësisht. Zoti ynë bën të njëjtën lutje edhe për ne. Kjo është një copëz tjetër e sigurisë dhe e shpresës tonë të madhe në këtë letër sigurie.

A nuk është e mrekullueshme që këtë stinë Adventi të dimë se Perëndia na thërret të vijmë tek Ai? A nuk është e mrekullueshme të dimë se ky Perëndi i madh i drejtësisë dhe zemërimit thotë: “M`u afro përmes Birit tim dhe Kryepriftit tënd. M`u afro Mua. M`u afro Mua”?

Kjo është ftesa e Tij në këto lexime ditore për Adventin: “M`u afro Mua, përmes Kryepriftit tënd! M`u afro Mua në rrëfim, lutje, meditim, besim dhe lavdërim! Eja! Unë nuk do të të përzë.” 

Kjo për shkak se Krishti “mund të shpëtojë plotësisht ata, që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Hebrenjve 7:25).

Shkrimet e Shenjta

Dita 2Dita 4

Rreth këtij plani

Agimi i Gëzimit të pashkatërrueshëm

Gëzimi që Jezusi po sillte në botë ishte si asnjë gëzim tjetër në histori. Sapo ta kemi marrë këtë gëzim, asgjë nuk mundet ta shkatërrojë...Veçoni kohë dhe qetësi për veten tuaj këtë stinë Krishtlindjeje dhe kërkoni për këtë përjetim.

More

Ne dëshirojmë të falënderojmë IGNIS Ministry Albania për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/tematika/agimi-i-gezimit/

Plane të ngjashme