Ura për te MarkuShembull
Hipokritët
Perëndia e di kur buzët tuaja thonë diçka ndryshe prej asaj që keni në zemër, apo nga ajo që mendoni. Ai e di kur shtireni sikur e doni Atë, ndërsa në zemrat tuaja nuk keni dashuri për Të. Në këtë mënyrë, edhe ne sot mund të jemi si farisenjtë. A thoni ndonjëherë një lutje pa menduar me të vërtetë se çfarë po thoni në të? Kur këndoni, a i mendoni gjithnjë fjalët e këngës dhe a i thoni ato me gjithë zemër? Shpesh ne këndojmë, sepse na pëlqen melodia apo edhe të kënduarit në vetvete. E vini re sa shpesh edhe ne jemi hipokritë në ato që bëjmë përpara Perëndisë? Mbase çdo të diel uleni me mirësjellje në kishë. Mbase keni blerë rroba të veçanta për të shkuar në kishë. Nuk ka asgjë të gabuar në këtë gjë, nëse e bën nga respekti nderues që ke për Perëndisë. Por kjo nuk do të kishte asnjë lloj vlere para Perëndisë, nëse në zemrën tënde e shpërfill Atë dhe Fjalën e Tij. Perëndia na flet, në mënyrë që të kemi besim tek Ai, t’i zëmë besë dhe t’i bindemi.
Hipokritët nuk lëndojnë vetëm vetveten, ata lëndojnë edhe Kishën e Perëndisë. Kur njerëzit që hiqen si të krishterë janë të pasjellshëm, në të vërtetë i shkaktojnë dëm emrit të Perëndisë. Mbase të dielën këta “shtiracakë” këndojnë bukur bashkë me të tjerët në kishë. Tingëllon aq këndshëm. Por, gjatë javës, ata thonë gjëra të liga për njëri-tjetrin; përhapin thashetheme për gjërat që kanë thënë apo kanë bërë të tjerët. Kur fjalë të tilla, bien në veshë të njerëzve që nuk shkojnë në kishë, ata mendojnë: Epo, nuk dua të kem të bëj as me ta, dhe as me Perëndinë e tyre! Ata nuk e duan as njëri-tjetrin. Nëse njerëzit e Perëndisë sillen në këtë mënyrë, ç’më duhet Perëndia i tyre?
Hipokritët janë si njerëzit që veprojnë nën një maskë, apo e vënë një të tillë; ata hiqen sikur janë dikush që në të vërtetë nuk janë. Është krejtësisht e mundur që dikush të duket si njeri i perëndishëm, ndërsa në zemrën e tij të mos ketë dashuri për Perëndinë. Sa e lehtë është që të përpiqemi të lutemi bukur, në mënyrë që t’u bëjmë përshtypje të tjerëve!
Tani, duhet të kujtojmë gjithashtu, se është detyrë e Perëndisë dhe vetëm e Tij, që të zbulojë nëse një njeri është hipokrit apo jo. Ne duhet të merremi vetëm me zemrën tonë. Kur t’i përkushtohemi kësaj gjëje, atëherë nuk do të kemi kohë për t’i gjykuar të tjerët.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al