Ura për te MarkuShembull
Puthja e fundit e tradhtarit
Kur mendojmë për puthjen e fundit të Judës, zemërohemi. Si mund të shtirej sikur ishte kaq i mirë, kur asgjë brenda atij veprimi nuk ishte e vërtetë? Juda ishte shtirur për një kohë shumë të gjatë. Duke u hequr si i ndershëm dhe i besueshëm, sillej sikur e donte Zotin Jezus. Madje, Zoti Jezus i kishte dhënë përgjegjësinë për të mbajtur thesarin – por Juda kishte vjedhur prej tij. Ai bënte një jetë të dyfishtë.
Është e lehtë të zemërohemi me Judën. Por është edhe më e lehtë të veprojmë si Juda. Juda nuk ishte i drejtë dhe i ndershëm në mënyrën se si jetonte. Për një kohë të gjatë ai sillej mirë në dukje, por në zemrën e tij ai nuk ishte ashtu.
Sa herë flasim “bukur” në lutjet tona pa i thënë ato me gjithë zemër? Sa herë ulemi në kishë ashtu siç duhet, por as nuk dëgjojmë? Sa herë këndojmë: “E dua Zotin, burimin e jetës dhe të hirit ...,” ndërkohë që as nuk e kemi mendjen te ajo që po këndojmë? Ju mund të mendoni: E vërtetë, por të paktën nuk jam duke e shitur Zotin që të vritet, ashtu siç bëri Juda. Keni të drejtë. Por as Juda nuk e bëri këtë menjëherë. Ai mund të mos e ketë menduar kurrë që në fund do ta tradhtonte Zotin Jezus në këtë mënyrë kaq mizore.
Shumë njerëz nuk e kanë pasur si qëllim t’i bënin disa mëkate, në të cilat më vonë e gjejnë veten duke jetuar. Mëkati është sikur të rrëshqasësh tatëpjetë një shpati të pjerrët të rrëshqitshëm. Rrëshqet shpejt e më shpejt, derisa e ke të pamundur të ndalosh më. A jeni duke rrëshqitur me shpejtësi në një shpat kaq të pjerrët? Kujtoj një rast kur kjo gjë më ndodhi mua. Kur isha i ri, vodha një monedhë nga kutia e kursimeve të mamasë për të blerë karamele. Ndërsa prita se çfarë do të ndodhte, dhe nuk ndodhi asgjë, vodha sërish e sërish. Ishte sikur të rrëshqitje në një shpat të pjerrët.
Ka vetëm një mënyrë se si mund të ndaloni “së rrëshqituri”. Duhet t’i tregoni Zotit, si dhe atyre që keni përzemër për mëkatin tuaj. Mos luftoni vetëm. Perëndia është i gatshëm t’i falë mëkatarët. Ai është i gatshëm edhe t’i ndihmojë ata që vijnë tek Ai dhe i rrëfejnë mëkatet e tyre. Rrëfejani mëkatin tuaj edhe atyre ndaj të cilëve keni mëkatuar. Mos u fshihni siç bënte Juda. Për Judën qe më e lehtë ta vriste Zotin, sesa të rrëfente mëkatin e tij. Mbase ishte më e lehtë, por kjo gjë nuk e ndihmoi – vetëm e bëri problemin shumë më të madh. Dëgjo paralajmërimin e Perëndisë: mos ndiq “shtegun” e Judës!
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al