PËRSE?Shembull

Bibla na jep 4 arsye përse Perëndia lejon të ndodhë padrejtësia në botë.
1. Për shkak se Ai na jep ne lirinë për të zgjedhur.
Perëndia thotë tek Ligji i Përtërirë 11:26 - "Shikoni, unë vë sot para jush bekimin dhe mallkimin;'
Bibla thotë që ne jemi krijuar sipas imazhit të Perëndisë. Kjo do të thotë që Perëndia të jep mundësinë e zgjedhjes. Perëndia të jep mundësinë për ta pranuar Atë ose për ta mohuar, për t’iu bindur ose jo, të bësh të mirën ose të keqen.
Përse?
Perëndia na e jep mundësinë e zgjedhjes sepse Ai do që ne të bëjmë të mirën dhe ta bëjmë në zgjedhjen tonë, jo për shkak se duhet, ose nga frika. Ai do që ti ta duash Atë për shkak se ti ke zgjedhur vetë për ta dashur, jo se ashtu duhet. Por me zgjedhjen vijnë edhe pasojat. Nuk mund të thuash që ke mundësinë për të bërë të mirën po nuk ekzistoi mundësia për të bërë të keqen.
Lajmi i mirë është ky, që ti ke lirinë për të zgjedhur. Lajmi i keq është se ka pasoja negative ndaj zgjedhjeve të gabuara. Pasojat e këqija në botë janë thjesht rezultat i zgjedhjeve të këqija.
Perëndia mund t’i heqë të gjitha padrejtësitë që ndodhin në botë brenda 1 sekondi. Si? Duke hequr nga njeriu lirinë për të zgjedhur të bëjë të keqen, të heqë nga ty lirinë për të gabuar, lirinë për të bërë padrejtësi, të heqë të gjitha mundësitë për të zgjedhur. Por Ai nuk ka për ta bërë. Sepse Perëndia e ka krijuar njeriun me vullnet të lirë.
Pra, lajmi i mirë është se ti je i lirë, por lajmi i keq është që liria ka dhe pasoja negative. Një nga ato është padrejtësia.
2. Sepse gjykimi po vjen.
Predikuesi 3:11 'Ai e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën vet; ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund.'
Sot nuk është fundi i historisë. Në fakt kapitulli i fundit nuk është shkruar akoma. Mos harro që një ditë Perëndia do t’i hapë shënimet. Do të ketë një ditë gjykimi. Në atë ditë Ai do të rregullojë çdo gjë, do të riparojë gjithçka. Dhe ajo ditë nuk është sot por do të jetë një ditë dhe ajo ditë po vjen.
Isaia 30:18 '...Zoti është një Perëndi i drejtësisë...'
Ai kërkon drejtësi. Ai është shumë më shumë i drejtë sesa jemi unë dhe ti. Për shkak se është Perëndi i drejtë, një ditë do të bëjë çdo gjë tamam, do t’i balancojë gjërat dhe në fund do t’i mbyllë librat.
Përse nuk na dënon tani Perëndia? Përse nuk e vendos drejtësinë e Tij tani? Përse nuk i jep fund dhe të rregullojë çdo gjë sot?
3. Ai do të na tregojë që kemi nevojë për një Shpëtimtar.
Predikuesi 7:20 'Nuk ka në fakt asnjë njeri të drejtë mbi tokë që bën të mirën dhe të mos mëkatojë.'
Kjo do të thotë që të gjithë kemi qenë të pakujdesshëm, të këqij, të padrejtë, e kemi tepruar kushedi se sa herë. Të gjithë jemi në të njëjtën kategori. Arsyeja përse jetojmë në një botë jo të drejtë është sepse bota është e mbushur me njerëz të padrejtë. Njerëz si unë, si ti.
Prandaj, kemi nevojë për një Shpëtimtar. Ne të gjithë kemi lirinë për të zgjedhur dhe një ditë do të ketë gjykim për zgjedhjet që bëmë. Por Ai po e vonon gjykimin e Tij në mënyrë që ti dhe çdo njeri ta kuptojë që ka nevojë për një Shpëtimtar para se çdo gjë të përfundojë.
Ne të gjithë kemi mëkatuar, por Perëndia është gati të na shfajësojë, nëse besojmë tek Jezu Krishti i cili i merr dhe i heq të gjitha mëkatet tona.
Pse njerëzve të mirë u ndodhin gjëra të këqija? Duket si pyetje pa vend. Sepse të gjithë jemi aty-aty, të gjithë kemi mëkatuar në forma të ndryshme. Në standartin tonë, themi që ky është mëkat i madh, ky tjetri është i vogël, por në sytë e Perëndisë nuk ka mëkat apo gabim të vogël. Mëkati është mëkat.
Ti ke nevojë për Shpëtimtar dhe jo për drejtësi. Jemi të gjithë njëlloj, asnjë nuk është i përsosur. Të gjithë e kemi tepruar.
A je i sigurt që do më mirë drejtësinë? Nëse Perëndia do të të jepte ty atë që meritoje a mund ta mendosh se ku duhet të ishe tani?
Jezu Krishti nuk e meritonte të vdiste në kryq. Ai ishte i përsosur, pa mëkat, por Bibla thotë se Ai erdhi dhe vdiq, mori dënimin që më takonte mua dhe ty, i Drejti për të padrejtët në mënyrë që të na sillte tek Perëndia. Ai mori ligësitë e mia, fajet, dënimin, çmimin e mëkateve të mia.
Ai e bëri për ty dhe për mua. Ajo që duhet të bësh ti është ta pranosh Atë si Shpëtimtar. Ai mund ta ndryshojë natyrën tënde.
4. Dhimbja mund të forcojë karakterin.
Vështirësitë prodhojnë karakter të fortë. Njeriu gjithmonë mëson më shumë nga dhimbjet dhe vështirësitë sesa mëson nga argëtimet. Mëson më shumë nga problemet sesa nga sukseset. Karakteri të forcohet në ditët e vështira dhe jo në ditët e mira. Perëndia është i interesuar që të të japë ty formën e duhur.
Jeta është si një fotografi, fotografi me formën e vjetër, me film, jo me kartë memorie. Kur bën një fotografi së pari e bën në negativ. Pastaj e fut në një dhomë të errët, dhe e kthen negativen në pozitive duke e ndriçuar filmin mbi një letër fotografie më të madhe se filmi. Kur drita kalon nga negativi për në letër bëhet pozitive.
Solomoni po i bën fotografi jetës. Ai po thotë që jeta duket shumë negative, nuk ka drejtësi dhe nuk ka një gjë që po bëhet për së mbari në botë.
POR Perëndia mund t’i kthejë negativët e jetës tënde në pozitivë nëse ti e lejon dritën e Dashurisë së Tij të shkëlqejë në ty. Dhe Ai ka për t’i kthyer gjërat negative në pozitive.
Ai e ka premtuar.
Lutje: Atë i dashur, faleminderit që kam mundësinë të të zgjedh Ty me vullet të lirë. Më ndihmo të kuptoj sa të rënda janë pasojat e zgjedhjeve të gabuara, në mënyrë që të zgjedh të bëj të mirën. Faleminderit që për shkak të Jezusit, unë nuk do të gjykohem siç e meritoj. Pranoj që kam nevojë për një Shpëtimtar, Jezusin. Faleminderit që i kthen negativët e jetës time në pozitivë, sepse Ti ke premtuar. Amen.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Kur vjen puna te pyetjet “Pse?” cila është ndër të parat që bëjnë njerëzit, që ke bërë edhe ti vetë? “Pse njerëzve të mirë u ndodhin gjëra të këqija? Pse Zoti vepron në mënyrë të padrejtë, pse jeta duket e padrejtë? Nëse Perëndia ka një plan të mrekullueshëm për jetën time, përse ndodhin gjëra që nuk janë të drejta?” Nëse edhe ti je në këtë fazë të jetës, të ftojmë ti bashkohesh këtij plani...
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al