Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

PËRSE?Shembull

PËRSE?

DITA 3 NGA 3

Si të sillesh kur jeta nuk është e drejtë me ty?

Bibla na thotë tre gjëra nëse jeta është e padrejtë me ty:

1. Së Pari Pranoje Që Jeta S’është e Drejtë.

Thjesht pranoje, është faktike. Mos e injoro.

Gjoni 16:33 'Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!''.'

Jezusi ishte realist në lidhje me jetën. Tha, “Do keni mundime.” Nuk tha, “Do jeni rehat.”

E vërteta është që edhe sikur të shpenzoje çdo sekondë të jetës tënde kundër padrejtësive dhe të mundoheshe të ndreqje gabimet e shoqërisë, ti nuk ke për ta shpëtuar dot këtë shoqëri. Problemi është më thellë sesa sistemi. Problemi është natyra njerëzore. Në thelb ne jemi egoistë. Mendojmë për vete. Ne kemi lirinë për të zgjedhur mes të mirës dhe së keqes dhe shumë herë zgjedhim të keqen, me qëllim. Sepse e keqja është gjëja më e lehtë për t’u bërë.

Gjëja e duhur nuk është gjithmonë me e lehta për t’u bërë.

Pra, Perëndia thotë që problemi i vërtetë është natyra njerëzore. Nëse nuk ke perspektivën e Perëndisë në lidhje me jetën atëherë ke për ta kaluar jetën duke qenë cinik, i hidhur, me inate, i pakënaqur dhe shpesh do jesh duke thënë:

“Përse më ndodhin gjithë këto gjëra mua që s’po e marr vesh? Pse po i ndodh kështu familjes time?…”

Megjithëse ti nuk mund t’i kontrollosh rrethanat e jetës, ti mund të kontrollosh se si do të reagosh ti ndaj tyre. Perëndia po shikon si reagon ti ndaj padrejtësive të jetës, si reagon ti kur jeta s’është e drejtë.

2. Sido Që Të Jetë, Bëj Gjënë e Duhur.

Isaia 1:17 'Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së ve.'

Madje edhe atëherë kur bota është e padrejtë, ruaje integritetin tënd. Bëj gjënë e duhur. Bëj të pamundurën që ai tjetri të fitojë drejtësinë e vet.

Bëje atë që ke mundësi për aq kohë sa ke mundësi.

Fjalët e urta 29:7 'I drejti interesohet për çështjen e të varfërve, por i pabesi nuk e kupton këtë interesim.'

E di çfarë të bësh ti?

Romakëve 12:21 'Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.'

Mos u hakmerr, mos u përpiq ta zgjidhësh çdo gjë vetë, lëre Perëndinë t’i gjykojë—“Hakmarrja më përket mua, unë kam për ta shpaguar,” thotë Zoti. Dhe Ai mund të bëjë një punë më të mirë sesa ti. Bëj të mirën sido që të jetë, pa kushte.

Ekziston një kurth. Ne shikojmë përreth njerëzit që bëjnë sipas kokës së tyre dhe themi “Të gjithë veprokan kështu, ka mundësi të jetë gjë e mirë!” JO.

Mos e ndiq turmën kur turma s’po bën gjënë e duhur,” thuhet tek libri i Eksodit. Ti mund të thuash, “Po ata po ja kalojnë mirë, po të veproj edhe unë si ata do ja kaloj mirë me siguri!”

Bëj gjënë e duhur edhe kur turma bën të kundërtën e të mirës.

Kujtoi vetes që një ditë do të dalësh para fronit të Perëndisë për të dhënë llogari për jetën tënde.

Në atë ditë nuk do të ketë pikë vlere nëse thua, “Por edhe ai tjetri kështu vepronte, le që të gjithë njëlloj ishim.”

Perëndia do të thotë, “Lëri të tjerët, po merremi me ty!”

Shiko larg, jo vetëm tek e sotmja apo tek të tjerët.

3. Prit Shpërblimin e Perëndisë.

Perëndia është besnik dhe Ai do të të shpërblejë ty për çdo gjë të mirë dhe të drejtë që bën në këtë jetë të padrejtë. Te Marku 10, Jezusi tha që Ai do të të shpërblejë ty 100 fish për çdo gjë që bën për hir të Jezusit.

Një ditë Perëndia do të thajë çdo lot, do të rregullojë çdo gjë, do të bëjë llogaritë, do hakmerret për çdo padrejtësi. Bëj gjënë e duhur dhe ti do të shpërblehesh.

Si mund t’i marrësh këto shpërblime?

1) Pranoje, “Unë jam aq i padrejtë sa është çdo njeri. Unë s’kam qenë gjithmonë i ndershëm me të tjerët, kam qenë egoist. Unë kam nevojë të kërkoj për faljen Tënde dhe kam nevojë për ty, Jezu Krisht që të bëhesh Shpëtimtari im. Nuk jam i përsosur, prandaj nuk e meritoj të jem në qiellin Tënd të përsosur. Por unë do të të besoj Ty dhe në atë që Ti pagove për mua.

2) Lëre Perëndinë të hakmerret për ty. Munde të keqen me të mirën. Lëre që Perëndia të merret me këtë.

Ti mund të jesh duke kaluar kohë të vështira dhe po thua, “Kjo nuk është e drejtë. Unë nuk e meritoj këtë!” Secili nga ne ka historitë e veta të padrejtësive që i janë bërë. Çdo njeri. Nuk kemi për të dhënë një shpjegim me detaje se përse ndodhin këto gjëra. Ti nuk ke nevojë për një shpjegim të tillë, as unë. Dhe nuk do e gjejmë dot një shpjegim me detaje për çdo situatë.

Ajo që na duhet të dimë është:

  • Perëndia është më shumë i interesuar për zemrën tënde.
  • Ai të ka dhënë lirinë e zgjedhjes—të zgjedhësh të mirën ose të keqen.
  • Një ditë ti ke për t’u gjykuar për zgjedhjet e tua.
  • Nëse vepron në mënyrën e duhur, ti ke për t’u shpërblyer për këtë gjë.

Kjo është ajo që të duhet të dish.
Perëndia do i rregullojë të gjitha të tjerat.

Le të lutemi!

Atë i dashur, të falenderoj që je kaq i interesuar për zemrën time. Faleminderit që më ke dhënë liri zgjedhjeje, të lutem më ndihmo të bëj zgjedhjen e duhur edhe atëherë kur e gabuara duket më tërheqëse. Faleminderit që për shkak të birit Tënd, Jezu Krisht, unë nuk do të gjykohem siç e meritoj, përkundrazi, do të shpërblehem për shkak se kam vepruar në mënyrën e duhur këtu në tokë. Të dua shumë. Amen.

Dita 2

Rreth këtij plani

PËRSE?

Kur vjen puna te pyetjet “Pse?” cila është ndër të parat që bëjnë njerëzit, që ke bërë edhe ti vetë? “Pse njerëzve të mirë u ndodhin gjëra të këqija? Pse Zoti vepron në mënyrë të padrejtë, pse jeta duket e padrejtë? Nëse Perëndia ka një plan të mrekullueshëm për jetën time, përse ndodhin gjëra që nuk janë të drejta?” Nëse edhe ti je në këtë fazë të jetës, të ftojmë ti bashkohesh këtij plani...

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al