Investimi yt më i mirë!Shembull
“Lexoje rregullisht Biblën”
Shumica prej nesh bien dakord se Bibla ofron një material të gjerë leximi - disa prej syresh ndonjëherë mund të duken të ngarkuar e të paqartë. Këtu janë disa fakte rreth Biblës, të cilat do të të ndihmojnë të orientohesh gjatë kohës tënde të leximit me një kornizë referimi dhe kuptim më të mirë.
Së pari, do të zbulosh se Bibla është e ndarë në dy pjesë:
Dhiata e Vjetër është një përmbledhje shkrimesh, që fillojnë me krijimin e botës, historinë e popullit të Izraelit - duke përfshirë mposhtjen e tyre si komb, pasuar nga robëria prej armiqve të tyre dhe së fundi, kthimin e tyre për të marrë edhe një herë Jeruzalemin, disa qindra vite para lindjes së Krishtit. Dhiata e Vjetër është po ashtu ligji i Perëndisë për popullin e Izraelit.
Dhiata e Re është një përmbledhje shkrimesh, që fillojnë pak përpara lindjes së Jezusit, vazhdojnë me jetën dhe shërbesën e Tij, vdekjen dhe ringjalljen e Tij si Shpëtimtari ynë dhe në fund me themelimin dhe zgjerimin e Kishës së Tij në mbarë botën. Mesazhi i lirisë në Krishtin me anë të hirit, siç zbulohet në Dhiatën e Re, përmbush dhe zëvendëson nevojën për ritualet e imponuara në Dhiatën e Vjetër.
Së dyti, në përgjithësi, do të gjesh tre lloje shkrimesh në të gjithë Biblën, në Dhiatën e Vjetër dhe të Re:
Shkrimet historike – janë shkrime që tregojnë një histori të vërtetë dhe japin një këndvështrim të rëndësishëm historik të njerëzve dhe të ngjarjeve të rëndësishme.
Shkrimet udhëzuese - janë libra dhe vargje që japin udhëzime në shumë aspekte të jetesës së krishterë, në organizimin e kishës dhe në çështjet personale dhe familjare, pa dhënë në mënyrë të veçantë ndonjë tregim historik të ngjarjeve.
Shkrimet frymëzuese – janë shkrime poetike dhe artistike, të planifikuara për të inkurajuar, nxitur dhe shprehur emocion nga autori te lexuesi.
Shkrimet e Dhiatës së Re, të cilat japin një rrëfim historik të jetës dhe shërbesës së Jezusit janë: Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni. Këta katër libra quhen ndryshe, Ungjij. Libri i Veprave të Apostujve është një libër tjetër historik në Dhiatën e Re, që pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit regjistron krijimin dhe zgjerimin e kishës së krishterë.
Librat e Dhiatës së Re, që përfaqësojnë Shkrimet udhëzuese janë nga letra drejtuar Romakëve deri te Juda. Këto janë letra nga udhëheqësit e kishës, që japin këshilla dhe udhëzime për të krishterët dhe kishat e tjera anembanë botës.
Libri i Psalmeve, në Dhiatën e Vjetër, është një shembull i shkëlqyer i Shkrimeve frymëzuese. Më poshtë gjendet një frymëzim nga një Psalm, që na siguron për bekimet që Perëndia i jep atij, që investon rregullisht në jetën e tij Fjalën e Perëndisë.
“Por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij. Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.” Psalmi 1:2-3
Ne duhet ta bëjmë pjesë të rutinës sonë të përditshme leximin e Biblës, që të mbjellim në jetën tonë farën e Fjalës së Perëndisë. Bekimet e Perëndisë do të bëhen më të dukshme ndërsa fara e Fjalës së Tij lulëzon në jetën tënde. Ti do të marrësh forcë dhe mbështetje nga Fjala e Tij edhe gjatë stinëve të thatësirës dhe vështirësive.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Marrja e një të ardhure të bekuar dhe me bollëk fillon me kryerjen e investimit të duhur. Nëse je i krishterë i ri, s’ka investim më të madh në besimin tënd, sesa marrja rregullisht e Fjalës së Perëndisë. Fillo këtu që të mund të lexosh, kuptosh dhe zbatosh çdo ditë në mënyrë efektive.
More
Ne dëshirojmë të falënderojmë Twenty20 Faith, Inc. për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.twenty20faith.org/devotion1?lang=sq |