Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ura për te MarkuShembull

Ura për te Marku

DITA 39 NGA 99

Jezusi, shëruesi

Vëmë re se sa të zënë ishin njerëzit, duke sjellë miqtë e tyre me nevoja të ndryshme te Zoti Jezus. Këtë duhet të bëjmë të gjithë; duhet t’u tregojmë të tjerëve gjërat që dimë për Perëndinë. Shumë të rritur dhe fëmijë rreth nesh nuk dinë asgjë për Të. Është e gabuar kur nuk bëjmë më të mirën për t’u treguar atyre rreth nesh ato që dimë për Zotin.

Por Jezusi nuk erdhi vetëm për të shëruar trupat e njerëzve. Edhe ata që ishin të shëndetshëm kishin nevojë për Të, sepse çdo zemër njerëzore është mëkatare. Asnjë prej nesh nuk e do Zotin ashtu siç duhet. Shpesh në jetën tonë gjendet një “perëndi”. Quhet “Unë”! Përpjekja për ta shëruar shpirtin tonë është po aq e pamundur sa të bëjmë që njerëzit e vdekur të rikthehen sërish në jetë. Nuk duhet të harrojmë kurrë që arsyeja kryesore përse Jezusi erdhi në këtë botë është që t’i shpëtonte mëkatarët; Ai erdhi për të ndryshuar zemrat e njerëzve. Të gjitha mrekullitë e Tij janë një tablo e kësaj vepre.

Por, a do të ishte i gatshëm Ai të më shpëtonte mua apo komshinjtë e mi? Kjo pyetje e ofron përgjigjen në fjalët që lexojmë: “... dhe të gjithë ata që e preknin, shëroheshin”. Asnjë nga ata që shtriu dorën drejt Tij nuk mbeti në sëmundjen e vet. Ai shëroi secilin prej tyre. Nuk e dimë sa prej zemrave të këtyre njerëzve që njohën shërimin fizik edhe u shpëtuan. Në Bibël tregohet se disa njerëz që u shëruan fizikisht nuk u bënë ndjekës të vërtetë të Zotit. Ata erdhën te Zoti Jezus vetëm për shërimin e trupave të tyre – duket se kjo gjë ishte e mjaftueshme për ata.

Për çfarë po e kërkoni Zotin? U vini veshin lutjeve tuaja. A keni nevojë që Ai t’ju ndihmojë për të përballuar ditën? A keni nevojë që Ai t’ju shërojë fizikisht? Ndoshta luteni që Ai t’ju ndihmojë në shkollë me mësimet tuaja. Ndoshta shpesh ju ndiheni të frikësuar dhe i kërkoni Zotit që t’ju japë kurajë dhe t’ju mbrojë. Me shpresë, i kërkoni Zotit t’ju mbrojë kur bëni një udhëtim të gjatë. Të gjitha këto nevoja janë të rëndësishme. E keni vënë re sa shpesh Zoti u përgjigjet lutjeve? Ai do t’ju ndihmojë nëse e kërkoni. Por, nëse kjo është e gjithë nevoja juaj për Të, atëherë nuk jeni vërtet të shëruar. Shpirtrat tanë mbeten mëkatarë dhe fajtorë; nevoja jonë më e madhe është që të na shërohet shpirti.

Prandaj, së pari, kërkoni Zotin Jezus për nevojat e shpirtit tuaj. Ai ishte i gatshëm që të ndihmonte secilin prej atyre njerëzve të sëmurë. Ai është i gatshëm dhe plotësisht i aftë t’ju ndihmojë edhe juve në nevojat tuaja si për trupin, ashtu edhe për shpirtin.

Shkrimet e Shenjta

Dita 38Dita 40

Rreth këtij plani

Ura për te Marku

Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al