Ura për te MarkuShembull

Fillimi i dhembjeve të lindjes
Nuk është çudi që dishepujt ishin të shqetësuar! Gjërat që Jezusi tha se do t’i ndodhnin tempullit ishin shumë të frikshme. Me siguri, menduan ata, që duhet të jetë fundi i botës, sepse tempulli është shtëpia e Perëndisë. Por, fatkeqësisht, në të vërtetë ajo nuk ishte më shtëpia e Perëndisë. Mendoni se si Jezusi i kishte përzënë të gjithë ata njerëz të pasjellshëm që po e keqpërdornin tempullin e Perëndisë. Në të vërtetë, Perëndia nuk po adhurohej si duhej në tempull. Perëndia do ta ndëshkonte kombin e Izraelit për mosbindjen ndaj Tij, veçanërisht sepse ata kishin refuzuar Birin e Tij, Shpëtimtarin, të Cilin Ai e kishte dërguar tek ata.
Rreth dyzet vite më vonë, Perëndia e shkatërroi të gjithë qytetin dhe tempullin e Jerusalemit. Vuajtjet që përjetoi populli i Izraelit ishin të tmerrshme. Por ka një shkatërrim edhe më të madh që po vjen: shkatërrimi i tërë kësaj bote të ligë, që do të ndodhë kur Zoti Jezus të kthehet për herë të dytë dhe të fundit. Sidoqoftë, përpara se kjo të ndodhë, do të ndodhin ngjarje nga më të tmerrshmet për të na kujtuar dhe për të na paralajmëruar për gjykimin që po vjen: luftëra, tërmete dhe zi buke, që do të sjellin shkatërrim dhe vdekje. Këto gjëra të tmerrshme po ndodhin nëpër botë në ditët e sotme! Ju mund të lexoni për këto në shtypin e përditshëm. Por Zoti Jezus na kujton që këto gjëra janë “fillimi i dhembjeve të lindjes”. Ato na tregojnë që një dhembje më e keqe është duke ardhur – fundi i botës.
A do të jetë fundi botës i tmerrshëm për të gjithë? Jo; edhe pse fëmijët e Perëndisë nuk do t’i shpëtojnë tërësisht vuajtjeve që kjo botë do të përjetojë në fund, Perëndia ka premtuar që do t’i shkurtojë ato ditë për hir të tyre. Dhe, kur jeta e tyre në këtë botë do të përfundojë, një jetë plot me gëzim do të fillojë! Krishti do të vijë më në fund, për t’i shpëtuar ata nga i gjithë gjykimi i Perëndisë për mëkatin.
Si mund të jemi gati për atë ditë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, mendoni për Noeun. Për shkak se Noeu i besoi mesazhit të Perëndisë, që bota do të gjykohej përmes një përmbytjeje të tmerrshme, ai dhe familja e tij hynë në arkë me drejtimin e Perëndisë. Vetëm ata njerëz, që ishin të fshehur në mënyrë të sigurt në arkë, shpëtuan në atë ditë gjykimi. Arka ishte një tablo e Zotit Jezu Krisht, dhe përmbytja një shembull i gjykimit të madh të botës në ditën e fundit. Vetëm kur të vrapojmë te Zoti Jezus dhe “të fshihemi” tek Ai, vetëm atëherë do të jemi gati për atë ditë!
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al