Ura për te MarkuShembull
“Të kaluar më tej”
Zoti Jezus e kishte festuar shpesh Pashkën. Por sot, ishte ndryshe. Jo vetëm që do të ishte Pashka e fundit e Jezusit, por do të ishte gjithashtu Pashka e fundit që do të festohej sipas mënyrës së caktuar prej Perëndisë në Dhiatën e Vjetër. Ditën tjetër Ai do të vdiste si sakrifica përfundimtare e “Qengjit të Pashkës”.
Festa e Pashkës ishte një nga ditët më të rëndësishme në Izrael. I përkujtonte popullit të Izraelit se si Zoti e kishte kursyer kombin e tyre nga plaga e fundit në Egjipt, mijëra vite përpara ardhjes së Krishtit. Perëndia i kishte paralajmëruar izraelitët që të gjithë bijtë e parëlindur në Egjipt do të vriteshin, përveçse nëse familjet e tyre lyenin shtalkat e dyerve të shtëpive të tyre me gjakun e një qengji. Nëse ata do ta bënin këtë gjë, atëherë ZOTI, ndoshta përmes një engjëlli shkatërrues, “do të kalonte më tej” shtëpive të tyre atë natë; por aty ku shtalkat nuk ishin të lyera me gjak, djemtë e parëlindur të secilës prej atyre shtëpive do të vdisnin. Një dhimbje e madhe e përfshiu të gjithë Egjiptin atë natë. Për Izraelin ishte një natë e tensionuar; por erdhi një mëngjes i gëzuar kur panë se si Perëndia ua kishte kursyer djemtë e parëlindur, për shkak të gjakut të qengjave. Prandaj, dishepujt mezi prisnin të përgatiteshin për këtë vakt të veçantë në përkujtim dhe në falënderim ndaj Perëndisë për mëshirën e Tij.
Ne të gjithë do të përballemi me Perëndinë në ditën përfundimtare të gjykimit, ashtu siç populli i Izraelit u përball me Perëndinë atë natë të tmerrshme në Egjipt. Në atë ditë gjykimi, Perëndia do t’i ndëshkojë të gjithë ata që kanë mëkatuar. Është gjë e mirë nëse ndihemi keq për mëkatet tona, por kjo nuk e heq fajin tonë. Një vrasës mund të ndihet keq që e ka vrarë viktimën e tij, por kjo nuk e çliron nga ndëshkimi i tij. Jezusi i mori mbi vete mëkatet e popullit të Tij dhe e vuajti ndëshkimin – vdekjen – për ta. Ai u bë “Qengji i Pashkës”, siç u simbolizua përmes sakrificës së qengjave që shpenguan jetën e bijve të parëlindur në kohën e Dhiatës së Vjetër. Në mënyrë që Perëndia “të kalojë më tej nesh” në ditën gjykimit, duhet të jemi si Izraeli në Egjipt: “të fshehur pas” gjakut të Qengjit të “kalimit më tej”!
Në Bibël “fshehja në” ose “të qëndruarit pas” Zotit Jezus është quajtur besim. Ai ka dhënë jetën e Tij – ka derdhur gjakun e Tij – në mënyrë që kushdo që beson në Të, të jetë i sigurt kur të përballet me gjykimin e Perëndisë.
A jeni “të fshehur në” Zotin Jezu Krisht?
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al