Ura për te MarkuShembull
Vetëshqyrtimi
A nuk është e mahnitshme se si Jezusi i kuptonte të gjithë ata që ishin rreth Tij? Ai i dinte me përsosmëri mendimet në zemrën e secilit. Ai e dinte se çfarë po planifikonte Juda, sikurse çfarë do të bënte pjesa tjetër e dishepujve. Ata do ta braktisnin Atë kur do të kishte më shumë nevojë për ta; secili prej tyre do të largohej kur ushtarët do të vinin për ta marrë Jezusin.
Jezusi i paralajmëroi dishepujt se do ta braktisnin, por Pjetri nuk e pranoi këtë. Mbase të gjithë të tjerët do të bënin këtë gjest prej frikacakësh, por Pjetri ishte i sigurt që ai nuk do ta braktiste Mësuesin e Tij. Padyshim që Pjetri e kishte me gjithë mend, sepse ai vërtet e donte Zotin Jezus. Sidoqoftë, Pjetri nuk e dinte se sa i dobët ishte ose se sa shpejt zemra e tij mund të binte në mëkatin më të rëndë.
Jo shumë kohë më parë, Zoti Jezus u kishte treguar dishepujve të Tij se sa nevojë kishin për Atë. Ai tha: “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; ... sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjo. 15:5). A e kishte dëgjuar Pjetri këtë? Ai mund ta ketë dëgjuar, por sigurisht që nuk e besonte. Sikur të ishte lutur: “Zot, nuk mund të jem i fortë dhe i guximshëm vetëm me forcën time. Më mbro nga një mëkat kaq i tmerrshëm, mëkati të Të mohoj Ty!”. Por në vend të kësaj, ai u bë edhe më i sigurt në veten e tij.
Çfarë mendoni për veten? Mbase ndiheni të fortë dhe të sigurt, dhe mendoni se mund të përballeni lehtësisht me tundimin. Ky është vetëbesimi, ose e thënë ndryshe, të kesh besim te forcat tua. Ta besosh këtë gjë është një rrezik i madh. Vetëbesimi vjen nga krenaria, dhe Bibla na paralajmëron që krenaria gjithmonë vjen përpara shkatërrimit. Pjetri e përjetoi këtë gjë në mënyrë shumë të dhimbshme, kur më pas, fjalët e Jezusit u realizuan.
Le të mësojmë të jemi të përulur. Nëse jeni të suksesshëm ose të fortë, është fuqia e Perëndisë që ju bën të tillë. E gjithë lavdia i takon Atij dhe aspak neve. Neve na pëlqen kur të tjerët na duartrokasin ose i pranojnë aftësitë tona. Ndihemi shumë të kënaqur kur të tjerët na e bëjnë qejfin duke thënë që ne mund t’ia dalim. Por le të mbajmë mend gjithmonë që Perëndia është Krijuesi ynë dhe Ai që na ndihmon të kemi sukses.
E dini ku qëndron dobësia më e madhe? Është në ato fusha ku mendoni se jeni më të fortë! Pjetri ishte një njeri i guximshëm, një njeri që fliste pa drojë. Ai ishte drejtuesi që s’njihte frikë, që ndiente shumë dashuri, zell dhe vendosmëri. A ishte e mundur që ai të skandalizohej – madje edhe të binte në besimin e tij? Në asnjë mënyrë – kështu mendonte. Sikur t’i kishte dëgjuar paralajmërimet e Mësuesit të Tij të dashur, ai do t’i kishte kursyer Zotit shumë dhimbje, dhe vetes së tij do t’i kishte kursyer shumë turp.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al