Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ura për te MarkuShembull

Ura për te Marku

DITA 72 NGA 99

“Monedhat” e Perëndisë

Sa pyetje të zgjuar kishin menduar këta farisenj dhe herodianë! Ata ishin të sigurt që tani mund ta fusnin Zotin Jezus në telashe. Nëse Ai do të thoshte: “Po, paguajini taksat!”, atëherë njerëzit do ta urrenin. Por, nëse Ai do të thoshte: “Jo, mos i paguani taksat!”, ata do ta raportonin te policia romake! Por Zoti Jezus ishte shumë më i urtë se ata. Përgjigjja e Tij ishte: “Po, dhe po!”. Ne duhet t’i shlyejmë detyrimet, duke paguar atë që qeveria jonë na kërkon të paguajmë, por gjithashtu duhet të paguajmë atë që i detyrohemi Perëndisë – dhe kjo vjen në radhë të parë. Kjo është më e rëndësishmja.

Jezusi pyeti për imazhin në monedhë. Monedha shfaqte imazhin e perandorit, Cezarit. Kjo gjë do t’u kujtonte të gjithëve që ai ishte sundimtari. Ata duhet t’i bindeshin dhe t’i tregonin respekt.

Në një farë mënyre, ne mund ta krahasojmë veten me një monedhë. Edhe ne, gjithashtu, mbartim një “imazh”. Kur u krijuam, Perëndia na bëri sipas imazhit të Tij. U krijuam që t’i ngjanim Perëndisë. Kjo gjithashtu do të thotë që ne duhet ta nderojmë Atë si Perëndinë tonë. Nëse kemi besuar tek Ai dhe jemi të pagëzuar, Perëndia ka “shkruar” Emrin e Tij në ballin tuaj, ashtu si emri i perandorit në monedhë. Ne mbajmë emrin e Perëndisë! Në këto mënyra, ne mund ta mendojmë vetveten si “monedhat” e Perëndisë!

Çfarë po pret Perëndia nga ne? Ai pret që t’i japim Atij atë që i detyrohemi.

Sipas jush, çfarë i detyrohemi Perëndisë? A e dëshiron Ai vëmendjen tonë? Po, Ai pret që ta dëgjojmë me vëmendje Atë. Ai pret që ne t’i bindemi Atij dhe të respektojmë vullnetin e Tij. Por, para së gjithash, Ai dëshiron të shohë që të gjitha këto bëhen nga dashuria për Atë!

Perëndia gjithmonë duhet të jetë i pari, madje edhe përpara familjes dhe miqve. Nuk duhet të vendosim asgjë dhe askënd përpara Perëndisë. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që mund t’i lëmë pas dore të tjerët ose që nuk duhet t’i duam ata. Ne duhet t’i duam, të kujdesemi dhe t’i ndihmojmë të tjerët që kanë nevojë për ne, por asnjëherë përpara ose duke lënë pas dore Perëndinë.

Ne jemi “monedhat” e Perëndisë. Jeta jonë nuk është krijuar që të shpenzohet për vetveten. Paraja nuk shpenzon kurrë para për veten. Është krijuar të shpenzohet për gjërat e tjera. Kështu është edhe me “monedhat” e Perëndisë. Nëse keni disa monedha, ju mendoni se si do t’i shpenzoni. Por ajo që është më e rëndësishmja, mendoni mirë se si do të shpenzoni “monedhat” e Perëndisë: talentet tuaja, dhuratat e dhëna nga Perëndia, kohën, trupin, dhe mbi të gjitha, shpirtin tuaj!

Shkrimet e Shenjta

Dita 71Dita 73

Rreth këtij plani

Ura për te Marku

Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al