Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dua të kthehem tek Perëndia!Shembull

Dua të kthehem tek Perëndia!

DITA 1 NGA 5

Etje Për Më Shumë!

Udhëtimi Fillon Këtu! Ti mund ta gjesh rrugën për te Perëndia. Prandaj, eja ta nisim udhëtimin së bashku për t'u kthyer dhe rikthyer te Perëndia, për t'u forcuar në Zotin çdo ditë, çdo javë.

Përshkrimi më i bukur i kthimit te Perëndia për mua, është kur Jezusi tregoi historinë e një djaloshi që vendosi të shkonte për të kërkuar për një jetë më të mirë por përfundoi i humbur dhe i vetmuar. (Luka 15:11-24) Besoj e ke dëgjuar apo lexuar historinë e Djalit Plangprishës?! Nëse jo është okay, do ta shohim bashkë këtë histori.

Ky djalosh kishte një etje të madhe; "duhet të ketë më shumë sa kaq". Ndoshta për këtë arsye ai shkon dhe i kërkon të atit pasurinë e tij. Në kontekstin kur është shkruar kjo histori, të kërkoje trashëgiminë siç bëri ai, ishte diçka shumë fyese, sjellje plotësisht e pacipë. Sepse jo vetëm që duhet të prisje të vdiste babai që të merrje trashëgiminë, por pritej që i vogli të kujdesej për të atin, kur ai të plakej. Ishte shumë ofendim. Po prit pak, para se t’i bëjmë gjyqin këtij djalit dhe t'i themi sa keq u soll ky i ri me të atin; a nuk është në një farë forme e njëjta gjë edhe për ne? Ajo që ai tha me zë të lartë, është e njëjta gjë që ndjejmë edhe ne përbrenda në forma të ndryshme.

A nuk thua edhe ti brenda vetes: "Jeta nuk po sjell atë që unë prisja, atë që unë doja? Jeta nuk po më jep atë që unë meritoj.” A je ndjerë kështu? Herë pas here të gjithë ndihemi kështu.

Jemi të etur për t'u ndjerë të dashur nga dikush, të etur për të gjetur qëllim dhe etje për të kuptuar qartë se pse ndodhin gjërat në këtë formë. “Perëndi, nëse Ti je i mirë, pse ndodhi kjo apo ajo gjë? Pse u sëmur personi që unë dua më shumë? Pse nuk po ecën kjo gjë? Cili është qëllimi i jetës? Ç'dua unë këtu? Pse jam këtu?”

Prit të të habis pak; të kesh etje për më shumë, nuk është çudi e madhe, sepse ti kështu je formuar. Nuk po them që çdo gjë që duam dhe dëshirojmë është e mirë apo e shëndetshme, por këto etjet e mëdha brenda nesh... ne jemi krijuar me to. Secila nga keto etje të medha vjen nga Perëndia.

Tek historia jonë, djali ishte i bindur që duhet të ikte nga i ati që të gjente përgjigje për pyetjet e jetës së tij, që të shuante etjet e jetës. Mendonte që duhet të ikte larg të atit për këtë gjë.

  • Etja e tij e madhe për dashuri nuk u shua kur jetoi jetë të shthurur apo kur gjeti shumë gra.
  • Etja e tij për qëllim nuk u shua kur ai pati një sukses të menjëhershëm; nga zero lek në shumë lek dhe famë.
  • Etja për të gjetur kuptimin, shpjegimin e pyetjeve të vështira, nuk doli siç e priste ai. Sepse gjërat nuk ndodhën ashtu siç priste ai. Pyetjet e tij të mëdha prapë ngelën pa përgjigje:"Pse nuk ecën gjërat siç i planifikova? Pse ngela pa kokërr leku? Si përfundova në një vend të tillë?”

A ju duket kjo histori, këto pyetje të njohura? Arsyeja pse Jezusi e tregoi këtë histori ishte që të gjithë ne të arrijmë ta gjejmë rrugën e kthimit për në shtëpi, rrugën e kthimit te Perëndia. Kjo na sjell në një pyetje të madhe që nuk duhet t'i përgjigjemi vetëm një herë në jetë, por duhet t'i përgjigjemi herë pas here.

  • Ku shkon për t'i shuar, për t'i ngopur këto etje të mëdha, që mesa kuptojmë janë dhënë nga Perëndia?!
  • Ku shkon sot? Ku do të shkosh nesër, këtë javë, pas kësaj jave, sa herë që këto etje janë aty dhe kërkojnë që ti të bësh diçka? Ku do të shkosh për t'i shuar, për t'u ngopur?
  • A do t'i lejosh këto etje që të të afrojnë te Perëndia apo do t'i lejosh që të të largojnë nga Perëndia?

Ajo që përpiqet të na mësojë Jezusi nga kjo histori është se këto etje nuk shuhen duke ikur nga Perëndia, por duke shkuar drejt Perëndisë.

Sfida që kam për ty sot është; bëj këtë lutje të thjeshtë. Nëse nuk do ta quash lutje, quaje citim apo çfarë të duash. Thuaj Atij:"Perëndi, nëse Ti je i vërtetë, unë dua të të gjej, m’u shfaq Ti mua, bëje të mundur që të të gjej." Për ty ndoshta lutja është diçka e përditshme. Por prapë sot dua të të nxis t'ia hapësh zemrën Perëndisë që të të ndihmojë të afrohesh më tepër me Të, që miqësia jote me Të, të jetë më e fortë dhe më bukur."Perëndi, nëse Ti je i vërtetë, unë dua të të gjej, m’u shfaq Ti mua, bëje të mundur që të të gjej. Më ndihmo të kuptoj që ti je Ai që i mungon jetës sime.”

Shkrimet e Shenjta

Dita 2

Rreth këtij plani

Dua të kthehem tek Perëndia!

Ti mund ta gjesh rrugën për tek Perëndia. Prandaj, eja ta nisim udhëtimin së bashku për t'u kthyer te Perëndia, për t'u forcuar në Zotin çdo ditë, çdo javë. Do të shikojmë këto ditë , sesi njerëzit kanë 5 ETJE të ndryshme të cilat dalin herë pas here. Le ti zbulojmë bashkë dhe të kthehemi tek Perëndia që na pret krahëhapur!

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://icf.al

Plane të ngjashme