Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Stinët e zemrësShembull

Stinët e zemrës

DITA 52 NGA 365

Nxjerrja e deleve

Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij. - Gjoni 10:4

Çfarë i jep besim një alpinisti kur ecën nëpër shtigjet apo lartësitë e egra, të shkretuara e të vështira kur ai nuk ka kaluar në to më parë? Ndoshta udhërrëfyesi i tij ka qenë aty më parë, dhe në çdo hap që ai ndërmerr mbi akullin ose dëborën e panjohur dhe ndoshta të pabesë, udhërrëfyesi i tij shkon përpara. Ky premtim zbatohet dhe për delet e Krishtit. Kjo është e vërtetë pikërisht atëherë kur Ai i nxjerr ato – jo kur ato dalin vetë apo kur lejojnë një të huaj që t'i joshë ose armiq të tillë si frika ose padurimi t’i drejtojnë. Ndonjëherë fjala “t'i nxjerrësh” përdoret në kuptimin e saj të fjalëpërfjalshëm. Ne kemi qenë në një qoshe të mbuluar të vathës dhe jemi dërguar të jetojmë atje ku është më errët dhe më e shkretë. Kasollja jonë është hequr dhe na duhet të largohemi. Ne nuk e nxjerrim dot veten, sepse do të preferonim më mirë të qëndronim, por duhet të largohemi. Por Jezusi “ecën përpara”. Ai na përgatit vendet tokësore si ato qiellore. Ai do të jetë atje kur të arrijmë në vendin e ri. Ndonjëherë na duhet të ecim në vendet e vrazhda të vuajtjeve, qoftë për shkak të tundimit, dhimbjes apo ndonjë fatkeqësie. Jezusi ka shkuar para nesh, dhe Ai ende po shkon para nesh, madje shpesh shumë afër, sa që edhe pranë ujërave të qeta, ne kurrë nuk do të dukeshim aq afër Tij.

Herët ose vonë, mbase përsëri dhe përsëri, Ai i nxjerr delet e Tij në një vend më të madh veçimi – nga një rreth i jashtëm në një rreth të brendshëm, gjithnjë e më afër dhe më pranë Qendrës së madhe. Le të kërkojmë me shumë ndjeshmëri për një udhëheqje të tillë. Çdo hezitim për t'iu nënshtruar ndarjes që Ai me dhembshuri na bën nga bota, rezulton në veçim të zemrës tonë nga Ai. Prandaj kur Ai shkon përpara nesh, a duhet të rrezikojmë të mbetemi pas? Ai do t'i nxjerrë delet e Tij më në fund në shtegun të cilin asnjëra prej tyre nuk do ta shkelë kurrë e vetme, sepse Ai e shkeli i vetëm. Jezusi njeh çdo hap të asaj lugine dhe kur populli i Tij hyn në të, me siguri do të zbulojnë se Mbreti i tyre do të ecë para tyre dhe Ngushëlluesi do të thotë: “Zoti vetë ecën para teje.”

Frances Ridley Havergal

Shkrimet e Shenjta

Dita 51Dita 53

Rreth këtij plani

Stinët e zemrës

Një vit devocionesh nga një brez grash në tjetrin

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al