Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ura për te MarkuShembull

Ura për te Marku

DITA 66 NGA 99

Lypësi i verbër

A vini re diçka të veçantë në këtë histori? Shpesh e lexojmë tepër shpejt. Është diçka e veçantë që Jezusi e dëgjoi Bartimeun, apo jo? Një turmë e madhe njerëzish po e rrethonte Zotin. Mbase Ai po u jepte mësim ndërsa ecte. Pa dyshim që shumë njerëz ishin duke folur. Por prapëseprapë, Ai e dëgjoi atë thirrje në mes të turmës. Ishte një njeri që kishte nevojë për Të më shumë se gjithë të tjerët. Ju mund ta kuptoni këtë nga mënyra se si Bartimeu e thërriste Jezusin. Edhe pse i thanë që të heshtte, ai thirri edhe më fort. Nevoja e tij ishte shumë e madhe; jeta e tij ishte në errësirë. Nuk kishte shpresë përveçse në Zotin Jezus. Mbase edhe ju jeni duke i thirrur Zotit. A ju dëgjon? Po, absolutisht!

Ishte gjë shumë e veçantë që Jezusi ndaloi, apo jo? Mbase për vite të tëra lypësi i verbër kishte qenë i ulur, ndoshta bashkë me shumë lypësa të tjerë. Njerëzit që ecnin në rrugë ishin mësuar me ta, sepse u kërkonin para. Edhe pse njerëzit e tjerë nuk dëshironin të shqetësoheshin nga thirrjet e Bartimeut, Jezusi donte. Ai e donte shumë këtë burrë të shkretë. Edhe pse duhet të kishte qenë duke menduar shpesh për ardhjen e Tij, vuajtjet dhe vdekjen, Jezusi sërish mendonte për të tjerët. Ai është i njëjtë sot! Ai e njeh secilin prej nesh dhe i di nevojat tona. Ai përkujdeset edhe për ne!

Ishte gjë e veçantë që Jezusi e pyeti Bartimeun se çfarë dëshironte. Ai mund ta kishte shëruar pa e pyetur. A nuk e dinte Ai se çfarë mund të donte më shumë se çdo gjë tjetër një njeri i verbër? Po, e dinte, por Ai dëshironte që të dëgjonte atë që Bartimeu besonte për Atë Vetë. Është e qartë që në zemrën e këtij njeriu të verbër tashmë kishte hyrë drita e Perëndisë. Ai besonte që Jezusi mund dhe do ta shpëtonte atë! Pa hezitim ai kërkoi dritë!

A keni mësuar të shihni që jeni frymërisht të verbër: të verbër për sa i përket Perëndisë dhe për sa i përket vetes; të verbër për sa i përket ligësisë së mëkatit? Asnjë prej nesh nuk mund ta kurojë veten nga një verbëri të tillë. Vetëm Perëndia mund ta bëjë një gjë të tillë. A e besoni edhe ju këtë? A ju bën kjo gjë që t’i thërrisni Atij, ashtu siç bëri Bartimeu?

Mbase ndiheni të shkurajuar. Jeni lutur për një kohë të gjatë tashmë. Nuk duket se ka ndryshuar gjë, gjithçka është njëlloj. A më dëgjon Zoti? A është i gatshëm Ai që të më ndihmojë? Nëse është, pse nuk përgjigjet? Jo gjithmonë e dimë se përse Perëndia pret, por le të mos dyshojmë në Fjalën e Tij. Jezusi thotë: “Kërkoni dhe do të gjeni!”. Edhe pse bota mbarë ju nxit të dorëzoheni, bëhuni si ky lypës i verbër. Kujtoni që Jezusi e dëgjoi atë!

Shkrimet e Shenjta

Dita 65Dita 67

Rreth këtij plani

Ura për te Marku

Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al