Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ura për te MarkuShembull

Ura për te Marku

DITA 69 NGA 99

Të lëvizësh male

Asnjë gjë nuk klasifikohet si tepër e vështirë për Zotin. Ai i solli malet në ekzistencë nga asgjëja. Prandaj, edhe mund t’i lëvizë malet dhe t’i hedhë në det. Mbase ju mendoni: A ka ndodhur ndonjëherë kjo gjë? Nuk di ndonjë mal të hedhur në det. Por di “male” të tjera, të cilat apostujt mundën t’i lëviznin. Pasi Zoti Jezus u ngrit në qiell, ishte një burrë që kishte lindur i çalë, i cili qëndronte i ulur në portën e tempullit. Ai nuk kishte qenë kurrë në gjendje të ecte, dhe kur Pjetri dhe Gjoni e takuan, ai tashmë ishte më shumë se dyzet vjeç. Nuk kishte shpresë që ky njeri të ecte ndonjëherë! E megjithatë, ai eci. Pjetri i tha burrit, ndërsa ai po i përgjërohej: “Unë nuk kam as argjend, as ar, por atë që kam atë po ta jap: në emër të Jezu Krishtit nazarenas, ngrihu dhe ec!” (Vep. 3:6). Dhe u ngrit, duke ecur, duke u hedhur dhe duke lavdëruar Perëndinë! Ja, pra, një shembull që apostujt lëvizën “malin” për këtë burrë të çalë!

Por Zoti i paralajmëroi ata për diçka: ata nuk duhet të luteshin për mrekulli me një zemër të mbushur me indinjatë, përndryshe Ai nuk do t’u përgjigjej atyre. Kur ne e ushqejmë dhe e mbajmë zemërimin ndaj dikujt, nuk jemi të gatshëm ta falim. Gjithashtu, Zoti i mësoi që nuk duhet të kishin hidhësi në zemrat e tyre kundër njerëzve të tjerë. Hidhësi do të thotë të jesh i zemëruar dhe të mendosh në mënyrë të vazhdueshme për atë që të kanë bërë të tjerët. Ajo të shtyn të dëshirosh që t’u ndodhin gjëra të këqia atyre që të kanë lënduar. Të kesh hidhësi do të thotë të mbash mëri kundër një personi, dhe të mos jesh i gatshëm ta falësh.

Mbase ka disa njerëz që ju kanë lënduar, apo që kanë abuzuar me ju përmes veprimeve të dhunshme. Prindërit mund t’ju kenë lënduar me fjalë therëse, mbase ka nga ata që janë abuzuar edhe seksualisht. Mbase ndiheni shumë të vetmuar, sepse nuk guxoni t’ia tregoni askujt dhimbjen tuaj. Ju sugjeroj të flisni me ndokënd për këtë. Nëse nuk mund të flisni me prindërit tuaj, flisni me mësuesit tuaj, pastorin apo me një mik të besueshëm.

Tregojini Zotit edhe për këtë gjë. Ai e di atë që po ndodh në jetën tuaj. Ai e sheh dhimbjen e zemrës suaj. Ai e di që ju mund të ndiheni shumë të zemëruar për gjërat e liga që njerëzit kanë bërë ndaj jush. Por ne nuk duhet të bëhemi të hidhur ndaj tyre; ne duhet të jemi të gatshëm të falim! Ju thoni: “Kjo është e pamundur!”. Jo, është e mundur. Me fuqinë e Perëndisë, ne mund t’i falim ata që na kanë lënduar. Të falësh dikë mund të duket sikur të duhet të lëvizësh dy male njëherësh, por me fuqinë e Perëndisë është e mundur! Tregojani Atij me çiltërsi që vërtet vuani dhe e konsideroni sfidë teksa mendoni për faljen. Ai e di që po ju kërkon të lëvizni “malet”, por nuk pret që ta bëni këtë gjë vetëm!

Shkrimet e Shenjta

Dita 68Dita 70

Rreth këtij plani

Ura për te Marku

Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al