Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ura për te MarkuShembull

Ura për te Marku

DITA 70 NGA 99

Pa shfajësim

Drejtuesit judenj mendonin që duhet ta sfidonin Zotin për pastrimin e tempullit. Ata e dinin që Ai kishte të drejtë për atë që kishte bërë. Tempulli nuk duhej të ishte përdorur në atë mënyrë. Vetë ndërgjegjja e tyre do t’u kishte thënë që shtëpia e Perëndisë nuk duhej të ishte shndërruar në një shesh pazari. Por, mbase ndërsa ata e sfiduan Atë, Ai do të thoshte diçka me të cilën mund ta akuzonin.

Zoti ishte aq i urtë, sa të mos binte në kurthin e tyre. Në vend të kësaj, me një pyetje që Ai u bëri, Zoti e bëri të qartë që po gabonin. Sa herë u kishte thënë dhe u kishte treguar atyre se Kush ishte! Nuk kishin shfajësim për mosbesimin e tyre. Kush tjetër mund t’i bënte ato mrekulli si Zoti Jezus? Përveç kësaj, ata të gjithë e dinin që Gjon Pagëzori kishte predikuar për Jezusin.

Pse nuk dëshironin drejtuesit të besonin që Jezusi ishte Shpëtimtari? Sepse, nëse ata do të besonin në Zotin Jezus, atëherë duhej t’i bindeshin Atij. Atyre do t’u duhej të pranonin autoritetin e Tij dhe të ndiqnin të gjitha mësimet e Tij. Kjo do të thoshte edhe që ata nuk do të ishin më drejtuesit! Krenaria e tyre nuk i lejonte.

Si mëkatarë të rënë, as ne nuk dëshirojmë të bindemi. Ne bindemi për aq kohë, sa na leverdis. Por, nëse Perëndia na kërkon që të dorëzojmë diçka që na pëlqen ose na urdhëron që të bëjmë diçka që nuk na pëlqen, edhe ne rezistojmë. Për shembull, kur shikoni dikë që po vihet në lojë ose po shpërfillet tërësisht nga të tjerët në klasën tuaj, atëherë ju e dini që duhet ta mbroni. Mbase përpiqeni të gjeni justifikime; mbase bëni sikur nuk e vini re atë gjë. Ashtu si ata burra që duhej t’i përgjigjeshin pyetjes së Jezusit, edhe ju arsyetoni në mendjen tuaj se ata persona që po e ngacmojnë janë më të mëdhenj se ju, ndaj edhe nuk mund të bëni asgjë. Ndërkohë, e dini shumë mirë, që po bëni gjënë e gabuar duke mos thënë asgjë. Ju bëni një zgjedhje që të mos i përuleni Fjalës dhe vullnetit të Perëndisë. Ju e dini që duhet të tregoheni mik ndaj atij personi, por keni frikë nga ajo që mund të thonë moshatarët tuaj!

Merrni parasysh se si do të përgjigjet Jezusi kur t’i lutemi Atij. Ai do të thotë: “Nëse nuk e bën atë që është e drejtë, atëherë mos mendo që do të të përgjigjem kur të më kërkosh në lutje!”. Ai refuzoi t’u përgjigjej atyre burrave që e refuzuan. Ai nuk do t’i dëgjojë as lutjet tona, nëse nuk pendohemi. Le t’i rrëfejmë mëkatet tona dhe t’i kërkojmë Atij që të na ndihmojë të bëjmë gjënë e duhur.

Shkrimet e Shenjta

Dita 69Dita 71

Rreth këtij plani

Ura për te Marku

Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al