Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Stinët e zemrësShembull

Stinët e zemrës

DITA 73 NGA 365

Mjetet e rritjes

Por rrituni në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Atij i qoftë lavdia, tani dhe përjetë. Amen. - 2 e Pjetrit 3:18

Të rritemi në hir dhe në njohjen e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezus Krisht është ajo çfarë ne dëshirojmë me gjithë zemër të bëjmë, dhe mbase vajtojmë që nuk e bëjmë, mbase lutemi çdo ditë që të mund ta bëjmë këtë, dhe duket se nuk marrim përgjigje! Por meqë Perëndia ka siguruar mjete për përmbushjen e një urdhërese, nuk mund të pretendojmë që Ai të na bëjë të aftë ta përmbushim atë urdhër, nëse nuk po përdorim mjetet e Tij. Në këtë rast, mjetet paraqiten në një urdhër tjetër: “Dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij”. Dëshira e vërtetë duhet ta vërtetojë vetveten me vepra. Nuk ka kuptim të dëshirosh qumështin dhe mos ta pish atë.

Me anë të Fjalës, ne do të “rritemi në hir”. Fillimi i hirit në shpirtrat tanë ndodhi nga e njëjta Fjalë, sepse është shkruar: “Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës,” “të rilindur... me anë të fjalës së gjallë të Perëndisë.” Në çdo hap, është e njëjta Fjalë që shtjellon jetën shpirtërore. Prezenca e saj jep dritë dhe mirëkuptim. Rezultati i ruajtjes së Fjalës në zemrat tona është që ne “të mos mëkatojmë kundër teje”; dhe sa shpesh me anë të Fjalës së Tij Ai “na ka ndaluar të kryejmë një mëkat kundër Tij!” Përsëri dhe përsëri ne kemi thënë: “Fjala jote më ka dhënë jetë”. Sepse vjen në ne jo vetëm me fjalë, por me fuqi, me Frymën e Shenjtë dhe me shumë siguri. Shkrimet e shenjta “mund të të bëjnë të urtë për shpëtimin”, dhe efektet e synuara janë të dobishme për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim në drejtësi që kulmon në atë që do të quanim kulmi i rritjes, në mënyrë “që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.” E megjithatë ekziston ende një rezultat më i lavdishëm i kësaj Fjale të Zotit, “që edhe vepron në ju që besoni”, sepse përmes fuqisë së Tij hyjnore “na u dhuruan premtimet shumë të mëdha e të çmueshme që nëpërmjet tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore”. Ky është me të vërtetë kulmi i asaj që mund të ngrihet përtej këtij efekti të mrekullueshëm të këtij mjeti të bekuar të rritjes në hir! Oh, le ta përdorim ashtu siç Ai do të donte që ne ta përdorim, në mënyrë që çdo ditë “të rritemi me anë të kësaj”.

Frances Ridley Havergal

Shkrimet e Shenjta

Dita 72Dita 74

Rreth këtij plani

Stinët e zemrës

Një vit devocionesh nga një brez grash në tjetrin

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al