Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Stinët e zemrësShembull

Stinët e zemrës

DITA 60 NGA 365

Njohja e urdhërimeve të Tij

Dhe ky është urdhërimi i tij. - 1 e Gjonit 3:23

Ne mund të jemi mjaft të sigurta për tre gjëra: së pari, se çfarëdo që Zoti ynë të na urdhërojë, Ai dëshiron me të vërtetë që ta bëjmë. Së dyti, se çdo gjë që Ai na urdhëron është gjithmonë për të mirën tonë dhe, së treti, se çdo gjë që Ai na urdhëron, Ai është në gjendje dhe i gatshëm të na mundësojë ta bëjmë, sepse të gjitha urdhërimet e Perëndisë janë të mundshme. Por, a i konsiderojmë praktikisht të gjitha urdhërimet e Tij si urdhërime, dhe shkeljen e ndonjërit prej tyre si mëkat? Ndërsa lexojmë secilin urdhërim, le t'i themi solemnisht vetes tonë: “Dhe ky është urdhërimi i Tij”. Ah, çfarë tregues faji do të jetë! Si do të mund të shohim se ajo që kemi justifikuar si sëmundje dhe dobësi të natyrshme, për të cilën nuk mund të bëjmë asgjë, dhe ato që kemi konsideruar si dështime, standardet e të cilave janë të pamundura për t’u mbajtur, kanë qenë të gjitha mëkat, shkelje, mosbindje. Për to është i nevojshëm një pendim i thellë, pa pasur nevojë për asgjë më shumë se sa gjakun e çmuar të Krishtit për shlyerje dhe pastrimin.

Ndoshta ky është sekreti i trishtë i shumë vetave midis fëmijëve të Perëndisë. Ata po i vënë mëkatit emra të ndryshëm. Ata mendojnë se është vetëm temperamenti natyror dhe dobësia, ato për të cilat duhet të ndjejnë keqardhje dhe për të cilat duhet të vazhdojnë të dyshojnë e të mosbesojnë te Shpëtimtari i tyre e te Perëndia i tyre. Megjithatë ky është urdhërimi i Tij, që të besojmë në emrin e Birit të tij, Jezu Krisht, dhe të besojmë në Të në çdo kohë. Ata mendojnë se duhet të tregohet keqardhje ndaj tyre sepse mbartin një barrë dhe një trishtim të tillë zemre, megjithatë ky është urdhërimi i Tij: “Hidh mbi Zotin barrën tënde”, dhe: “Gëzohuni gjithnjë në Zotin”. Ata nuk mendojnë se mund t'i ndihmojnë tamam zemrat e tyre sepse janë aq të ftohta, sa nuk e dinë nëse e duan apo jo Atë, megjithatë ky është urdhërimi i Tij: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde”. Megjithatë, mike e dashur, nëse Zoti i ka urdhëruar vërtet këto gjëra, kjo është një gjendje mosbindjeje. Nëse Ai i ka urdhëruar, Ai dëshiron që ti t’i bësh. Oh, eja ballë për ballë me Fjalën e Tij; mos u tkurr nga tronditja e tmerrshme e të parit të mëkatit sepse e konsideroje vetëm si dobësi.

Frances Ridley Havergal

Shkrimet e Shenjta

Dita 59Dita 61

Rreth këtij plani

Stinët e zemrës

Një vit devocionesh nga një brez grash në tjetrin

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al