Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

A Është Gëzimi Ngjitës?Shembull

A Është Gëzimi Ngjitës?

DITA 10 NGA 13

Si ta mirëmbash gëzimin që more në Zotin?

Pali na jep tre mjete për të mbajtur gëzimin dhe për të na treguar se si të ruhemi nga "vjedhësit" e gëzimit.

1.Ruhu nga Qëndrimi Legalist

Legalizmi e vjedh gëzimin në jetën tonë me Zotin. Legalizëm është kur zëvendëson miqësinë tënde me Zotin dhe e mbush jetën me rregulla: "mos këtë" e "mos atë."
Ai hyn gradualisht në jetën e të krishterit, duke të tërhequr vëmendjen nga Perëndia dhe nga ajo që ka bërë Ai, dhe duke e zhvendosur fokusin tek ajo që mund të bësh ti për Perëndinë.
Kur e kalon fokusin nga ajo që ka bërë Perëndia tek ajo që po bën ti për Perëndinë, ky proces ta vjedh gëzimin.
Të dyja kanë rëndësi, POR së pari vjen ajo që ka bërë Perëndia për ty. Më pas, çfarëdo që bën ti, e bën si shenjë falënderimi ndaj Tij.

Në vend që të shkojmë pas këtij qëndrimi legalist, Pali na nxit:

Jetoje Çdo Ditë në Hir

Hiri i Perëndisë të jep gëzim, sepse kupton se çdo gjë që bën Perëndia në ty dhe nëpërmjet teje është nga hiri. Nuk është se ti e fitove vetë; nuk punove për të. Hiri është sekreti i gëzimit.
E fillove në hir, vazhdoje në hir. Jo ta fillosh në hir dhe ta përfundosh në ligj.

Pali na jep 5 gjëra në lidhje me legalizmin, që kanë forma të ngjashme edhe sot. Nga këto mund të kuptosh që po bie pre e legalizmit:

1.Mos ki besim te ritet.

Sot, ne kemi ritualet tona gjithashtu: pagëzimi, darka e Zotit, ardhja në kishë, bërja e shërbesave.
Këto janë gjëra shumë të mira, POR kujdes, nuk janë ato që të shpëtojnë.
Nëse beson që duke u pagëzuar, duke bërë gjëra, duke ardhur në kishë, Zoti të do më shumë sepse po bën sakrifica... jo, jo! Dashuria dhe kujdesi i Perëndisë ndaj teje është në maksimum, pavarësisht.
Ne bëjmë gjëra për t'i thënë "faleminderit" Perëndisë, jo që Ai të na marrë me sy të mirë.

2.Mos ki besim te fisi i veçantë.

"Jam nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit."
Fisi i Beniaminit ishte fisi më i pastër në Izrael. Pali, në fillim, e kishte emrin Saul. Saul ishte mbreti i parë i Izraelit dhe ishte nga fisi i Beniaminit. Është sikur të themi për kulturën tonë, të jesh me origjinë nga vendi ku lindi Skënderbeu dhe ta kesh emrin Skënderbe.

Por Pali tha: "Unë nuk besoj në këto gjëra. Fakti që jam nga fisi i veçantë nuk më bën mua të veçantë."
Mund të thuash: "Po gjyshi im ka qenë prift, babai më ka çuar në kishë kur ishim në Greqi, ka ndezur qiri për mua kur isha në Itali, ka shkuar tre herë te kisha e Laçit për mua, kur isha në klasë të parë. Kam këtë, kam bërë atë, sepse ne jemi fis me norma, nuk jemi dosido."

Por kjo nuk të shton asgjë; besimi është një zgjedhje personale, nuk vjen nga ADN-ja. Ti shpëtohesh kur zgjedh me vullnet të lirë: “Perëndia më deshi aq shumë saqë solli Jezusin për mua.”

3.Mos ki besim te feja.

Pali tha: "Unë jam Hebre nga Hebrenj, Hebre plotësisht, 100%." Para se të njihte Jezusin, Pali ishte shumë fetar. Por Jezusi nuk i duronte fare, fare, fare fetarët.

Feja është përpjekja e njeriut për t'u pajtuar vetë dhe për t'u lidhur vetë me Perëndinë, duke u lodhur vetë. Jezusi është përpjekja e Perëndisë për t'u lidhur me njeriun. Asnjë fe nuk e bën dot këtë; vetëm gjaku i Jezusit në kryq e mundësoi pajtimin dhe lidhjen tonë me Perëndinë.

4.Mos ki besim te rregullat.

Sipas ligjit farise, Pali i mbante të gjithë rregullat, një me një. Farisenjtë ishin ajka e fetarëve në atë kohë. Ishin elita. Ata morën 10 urdhërimet e Perëndisë dhe i zgjeruan dhe i shtrinë në 613 urdhërime. Hidh mjell, e hidh ujë.

5.Mos ki besim te reputacioni.

Reputacioni i Palit ishte si një yll që shkëlqen, i paqortueshëm.
"E lexoj Biblën dhe e njoh në majë të gishtave. E gjej me sy mbyllur ku është Gjoni 3:16. Unë bëj këtë, bëj atë, nuk bëj këtë, nuk bëj atë..."

Shiko, nuk ka asnjë të keqe në të gjitha këto që thashë; e vetmja e keqe është nëse ti mendon se, duke bërë këto gjëra, do fitosh pikë më shumë para Perëndisë. Sepse kjo nuk është e vërtetë.
Ai të do, të pranon, të ka falur për shkak të asaj që ka bërë Jezusi, jo për shkak të asaj që bëjmë ose nuk bëjmë ne. Nëse përpiqemi vetë, përpiqemi të ndihmojmë Perëndinë.

Shiko si thuhet tek Romakëve 14:17 (ALBB) 'sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë.'

Pali po e thekson me të madhe: Krishtërimi nuk është një set rregullash, ritualesh. Mbretëria e Perëndisë, dhe ti që je pjesë e kësaj mbretërie, jeta jote është drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë.

Nesër do të shohim dy mjetet e tjera se si ta mirëmbajmë gëzimin.

Lutje: “Zot, më ndihmo të mos bazohem në veprat e mia, por të jetoj çdo ditë në hirin Tënd që më jep gëzim të vërtetë. Ruaje zemrën time nga çdo gjë që më largon nga Ti.”

Dita 9Dita 11

Rreth këtij plani

A Është Gëzimi Ngjitës?

Zbulo si të kesh gëzim që zgjat, pavarësisht rrethanave! Ky plan të ndihmon të shohësh njerëzit me një sy ndryshe dhe të gjesh të mirën në çdo marrëdhënie. Bashkohu që të mësosh si të gëzohesh çdo ditë me ata që ke pranë!

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en