A Është Gëzimi Ngjitës?Shembull

A është e mundur të gëzohesh me të tjerët, pavarësisht rrethanave? Libri i Filipianëve na tregon se gëzimi i vërtetë fillon nga marrëdhëniet që krijojmë, dhe çdo ditë mund të jetë mundësi për të qenë mirënjohës për ata që na rrethojnë.
Si ta gëzoj çdo ditë të jetës?
Libri i Filipianëve nga Bibla na jep sugjerime praktike se si të jemi të gëzuar pavarësisht rrethanave.
Në kapitullin e parë, Pali, autori i librit, fillon duke folur për njerëzit. Ai e dinte se nëse marrëdhëniet me njerëzit janë copë-copë, jeta është e keqe, ta shpif. Nuk ka gëzim. Nëse marrëdhëniet janë të tensionuara, jeta bëhet e vështirë. Nëse ke probleme me njerëzit që të rrethojnë, gëzimi ia fut vrapit. Prandaj, në pjesën e parë të këtij plani, dua të shohim së bashku:
Si të Gëzohem me Njerëzit që Kam?
Dua ta filloj duke të të thënë se ti ke influencë; ti je lider. Jo vetëm që gëzohesh me jetën që po e përjeton me Perëndinë, por gëzohesh edhe me njerëzit që ke në jetën e përditshme. Kjo është një nevojë. E them këtë sepse një nga cilësitë e para të një lideri është se gëzohet me njerëzit që ka përreth, në familje, punë, shkollë…
Po ti, a gëzohesh me njerëzit që ke përreth?
A ka momente kur duket sikur nuk gëzohemi me njerëzit që kemi përreth? Thjesht i tolerojmë, i durojmë, mbijetojmë me ta, por a gëzohemi? Nëse kjo është një sfidë edhe për ty, ja 4 hapa praktikë nga libri i Filipianëve, kapitulli i parë. Sot do të flasim për pikën e parë:
1. Ji Falenderues për Momentet e Mira me Çdo Person.
Ja si thuhet te Filipianëve 1:3 (ALBB) 'E falënderoj Perëndinë tim, sa herë që ju kujtoj,'.
Po ti, çfarë mban mend nga njerëzit? A mban mend të mirat apo të këqijat që ke kaluar me ta?
Kur ishte ne Filipi, Palin e arrestuan, ia grisën rrobat dhe e rrahën me kamxhik në mes të qytetit, e poshtëruan dhe e hodhën në burg. Kur ishte në burg, ra tërmet dhe iu kërkua që të largohej nga qyteti. Pali nuk kishte fare, po fare, fare kujtime të mira në Filipi. Pavarësisht gjithçkaje, ai nuk zgjedh të kujtojë dhimbjet, zgjedh të kujtojë gjërat e bukura dhe të gëzuara. Dhe është falënderues ndaj tyre.
Ji falënderues për gjërat e mira që ke kaluar me njerëzit, sepse kujtimet e bukura janë zgjedhje. Kështu që: mbaj mend të mirën, por harroji të tjerat.
Nuk po them të mohosh dhimbjen që mund të kesh kaluar, ose të justifikosh të keqen që të është bërë. Nëse po abuzohesh në këtë moment, nuk po them duroje abuzimin, madje të nxis ta denoncosh nëse është në atë masë. Ta mohosh nuk është e shëndetshme, por në gjërat që kanë shkuar tashmë, zgjidh të mendosh për të mirën. Kur kujton atë person, kujto të mirën.
Nëse do të gëzohesh me praninë e njerëzve të tjerë, fokusohu te pikat e forta, jo tek ato të dobëta. Me disa do të kesh pak më shumë punë dhe përpjekje, por e sigurt është që do të gjesh gjëra të mira tek çdo njeri.
Lutje: “Zot, të falënderoj për njerëzit që ke vendosur në jetën time. Më ndihmo të shoh të mirën te secili prej tyre dhe të jem falënderues për momentet e bukura që kemi ndarë. Më jep hir të kujtoj me gëzim dhe jo me hidhërim. Më mëso të dua si Ti, edhe kur është e vështirë. Amen.”
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Zbulo si të kesh gëzim që zgjat, pavarësisht rrethanave! Ky plan të ndihmon të shohësh njerëzit me një sy ndryshe dhe të gjesh të mirën në çdo marrëdhënie. Bashkohu që të mësosh si të gëzohesh çdo ditë me ata që ke pranë!
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en