A Është Gëzimi Ngjitës?Shembull

Nuk ka gëzim të vërtetë në marrëdhëniet tona nëse nuk i duam njerëzit me gjithë zemër.
Në ditën e parë folëm për të parë të mirën te të tjerët. Ditën e dytë, u kujtuam të falënderojmë për njerëzit në jetën tonë. Dita e tretë na sfidoi të jemi të duruar me procesin e rritjes së tyre. Sot, në ditën e katërt, shkojmë edhe më thellë—te zemra.
4. Duaji Njerëzit Me Zemër.
Nëse nuk i do njerëzit me zemër, do jesh me nerva me ta. Nëse nuk e do me zemër burrin, gruan, shokun… do jesh me nerva me të.
Arsyeja pse shumë martesa nuk janë siç duhet dhe pse ka kaq shumë divorce është sepse çifti nuk reagon nga zemra, por nga mendja.
Shumë lidhje fillojnë me: “Zemër, unë të dua, ti më do, hajde martohemi nesër.”
Pasi martohen, vazhdojnë me mendje dhe zemra ngelet mbrapa. Shiko, përdore më shumë trurin para se të martohesh; pasi të martohesh, përdor më shumë zemrën.
Kur gruaja thotë, “jam e stresuar,” dëgjoje se ka diçka. Kur burri thotë, “nuk mundem më,” dëgjoje, se ka diçka. Kur thotë, “nuk mendoj se duhet bërë kështu,” mos thuaj, “po ku di ti nga këto gjëra,” dhe të bësh me kokën tënde.
Kur dëgjon me zemër, mund të dallosh nga zëri i tij, saj, nëse ka diçka që nuk shkon.
Të duash me zemër fillon kur ti përpiqesh ta kuptosh: “Pse e tha atë, pse ndihet ashtu? Pse filani te puna sillet si ashtu, pse është si gjë e egër? Pse filani te shkolla bën si pronari i shkollës?” Nëse nuk e dëgjon, nuk e di se ku e ka hallin. Nëse nuk e di si e ka hallin, si mund t’i tregosh dashuri?
Njihi njerëzit që të rrethojnë, kur s’janë mirë, kur s’janë në terezi, kur janë të gëzuar. Nëse do tregosh kujdes, do e dallosh dhe do i njohësh. Bëj pyetje, merr vesh çfarë ka?! Si tha Pali te Filipianëve 1:8 (ALBB) 'Sepse Perëndia, është dëshmitari im, si ju dua të gjithë me dashuri të zjarrtë në Jezu Krisht.'
Kur do dikë që nuk e meriton, nuk është dashuri njerëzore, por hyjnore.
Pali mund t'i donte ata, pse? “Ju dua në Jezu Krishtin.” Dashuria njerëzore konsumohet, mbarohet, shteron. Por dashuria e Perëndisë ndaj nesh nuk mbaron kurrë.
Dashuria që më është dhënë nga Fryma e Shenjtë vjen tek unë, më ngop mua dhe del prej meje. Është dhuratë, dhe ndërsa jeton jetën me Frymën e Perëndisë në ty, ngopesh vetë, mbushesh vetë, dhe del prej teje tek të tjerët.
Shiko, nëse nuk mëson se si të gëzohesh në praninë e njerëzve që ke përreth, jeta do jetë e lodhshme, pa gëzim. Njerëzit do të ta vjedhin gëzimin, nëse ti nuk reagon ndaj tyre siç do kishte reaguar Jezusi.
Kështu që: Sekreti se si të gëzohem me njerëzit që kam përreth është të jesh i mbushur me dashurinë e Perëndisë.
Lutje: “Zot, faleminderit që më do me një dashuri të zjarrtë dhe të pakushtëzuar. Më ndihmo të dua edhe unë të tjerët ashtu siç Ti më do mua. Më jep zemër të butë, durim në marrëdhëniet e mia, dhe ndihmë që të kuptoj e të vlerësoj njerëzit përreth meje. Më mbush me Frymën Tënde të Shenjtë që dashuria Jote të rrjedhë prej meje çdo ditë. Në emrin e Jezusit, amen.”
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Zbulo si të kesh gëzim që zgjat, pavarësisht rrethanave! Ky plan të ndihmon të shohësh njerëzit me një sy ndryshe dhe të gjesh të mirën në çdo marrëdhënie. Bashkohu që të mësosh si të gëzohesh çdo ditë me ata që ke pranë!
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en