A Është Gëzimi Ngjitës?Shembull

A mund të ndryshosh jetën tënde vetëm duke ndryshuar mënyrën se si i sheh problemet? Dita e sotme na sfidon të shohim përpara, të vendosim prioritetet e duhura, dhe të marrim forcë nga Perëndia për të jetuar me qëllim, pavarësisht rrethanave.
Katër Hapa Për Jetë Të Gëzuar Pavarësisht Rrethanave
1 - Perspektivë e Re
Pse perspektivë e re? Sepse të gjithë kanë probleme.
Por problemet që po kalon ti nuk janë aq të mëdha sa i mendon ti. Sepse perspektiva bën ndryshimin. Ja ta shikojmë aty ku e lamë herën e kaluar. Pali tha te Filipianëve 1:12 (ALBB) 'Tani, vëllezër dua ta dini, se gjërat që më kanë ndodhur ndihmuan më shumë për përhapjen e ungjillit,'
Pali tha, që gjithë ato të zeza që i kanë ndodhur, nuk janë aq të zeza; madje ai i shikon si të mira. I shikon me perspektivë tjetër. Shikon se si Perëndia punon në mes të problemeve, edhe kur ato nuk dalin siç do ai. Qëndrimin e tij po e shihnin jo-besimtarët që kishte përreth, dhe nga qëndrimi i tij po inkurajoheshin besimtarët.
Qëndrimi yt para problemeve, nga mënyra sesi i shikon problemet, do të inkurajojë të tjerët. Guximi është ngjitës. Të tjerët marrin guxim nga ty, kur shikojnë se si vepron çdo ditë.
Perendia ka një qëllim pas çdo problemi që po kalon.
2. Prioritet i Ri
Mund të lejosh problemet ta drejtojnë jetën tënde, ose prioritetet. Ose do e caktosh ti se çfarë është më e rëndësishme për jetën tënde, ose të tjerët do e caktojnë për ty.
Nëse nuk e di cili është prioriteti i jetës tënde, do të të marrë ditën ky hall, pastaj ai hall, pastaj ai hall.
Si reagoi Pali, kur të tjerët po kritikonin shërbesat e tij?
Filipianëve 1:18 (ALBB) 'Ç'rëndësi ka? Sido që të jetë, me shtirje o sinqerisht, Krishti shpallet; dhe për këtë unë gëzohem, dhe do të gëzohem.'
Kjo është e vetmja pyetje në librin e Filipianëve: "Ç’ rëndësi ka?" Pyetje prioriteti.
Sa nga argumentet, debatet te familja jote janë për gjëra koti? A ia vlen të të prishet terezia, të mos jesh i gëzuar gjithë ditën për atë gjë? Kur e di se çfarë gjërash kanë me shumë prioritet në jetën tënde, kush kanë më shumë rëndësi, atëherë ti shmang të tjerat.
A është Perëndia prioriteti i jetës tënde? A është ndarja e lajmit të mirë prioritet për ty, pavarësisht se në çfarë rrethanash? Ndarja e Ungjillit me shokët, kolegët, komshijtë, fisin, prindërit...?
Fokusohu tek ajo që ka më shumë rëndësi.
3. Fuqi e Re
Të duhet fuqi, përtej fuqisë tënde, për të vazhduar. Jeta të lodh me raste. Të merr gjithë energjinë. Një hall, pastaj një hall tjetër, pastaj një tjetër. Niveli i energjisë bie, shkon në fund bateria. Ndoshta ndonjëri është dorëzuar. “Çfarë nuk kam bërë për atë njeri, nuk mundem më. Çfarë nuk provova me atë fëmijë, çfarë nuk bëra për filanin, filanen...”
Ajo që të duhet është: Fuqi e re.
Kur ke fuqinë e Perëndisë, asgjë nuk të mund dot.
Që të kesh gëzim në jetë, pavarësisht rrethanave, të duhet një perspektivë e re. Perëndia ka një qëllim pas çdo problemi, Ai do të nxjerrë diçka të mirë nga kjo gjë.
4. Qëllim i Ri
Pali ka 4 vjet në burg; nuk janë pak 4 vite. Ai është gati për të ikur nga kjo jetë, për të shkuar në qiell me Zotin. Ai tani ka humbur çdo gjë: miqtë, shërbesat, ka humbur lirinë, ka humbur privatësinë. Gati çdo gjë ka humbur, përveçse qëllimit të jetës së tij. Ja si tha te Filipianëve 1:21 (ALBB) 'Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim.'
Nuk po thotë fjalë vetvrasëse, se mos krijohet ndonjë keqkuptim. Ideja që thotë Pali është, “Unë nuk kam frikë edhe nëse vdes. Edhe nëse vdes i fituar jam, sepse do jem me Perëndinë në qiell. Por ama për sa kohë jam këtu, për sa kohë jam gjallë, kam një qëllim në jetë.”
Po ti si do e vazhdoje fjalinë?
Për mua të jetuarit është _________________.
Në ditët e sotme duket sikur ndahet në 3 kategori:
1.Për mua, të jetuarit janë GJËRAT.
“Të marr ç’të mundem.” Një shprehje e bukur, dëgjoje mirë këtë: Ne blejmë gjëra që nuk na duhen (i blejmë sepse e bleu dhe filani) me para që nuk i kemi (marrim një kredi, lekë borxh) për t’iu bërë përshtypje njerëzve që nuk është se i kemi aq qejf.
Synon të blesh gjëra që kanë të tjerët, por kur arrin të blesh gjëra si të atyre, ata i ndërruan, blenë ca të tjera.
2.Për mua, të jetuarit është Argëtimi/Qejfi.
“Nëse më bën të ndihem mirë, atë do bëj. Vetëm të më sjellë një çikë në qejf, pa nami të bëhet. Vetëm të heq këtë stres, këtë javë të mërzitshme. Sepse të hënën prapë në punë, në shkollë do shkoj, po për fundjavë do ia nxjerr fundin.”
Por argëtimi nuk zgjat. Argëtimi është i nevojshëm, argëtimi i shëndetshëm. Por kur kthehet në qëllim jete, do shikosh se nuk zgjat shumë.
3.Për mua, të jetuarit është të jem dikush, të jem i famshëm, të kem pozitë…
Imazhi është çdo gjë; dukja ka shumë rëndësi.
Për shumë të rinj, të jesh i famshëm është gjë e madhe; të bësh foto me një të famshëm është gjë e madhe.
Por në fakt, popullariteti është i tillë: një moment ti je hero, momentin tjetër je zero.
Nuk zgjat shumë; e zë dikush tjetër vendin tënd.
Jeta më e mirë, a e di se kur është? Kur e investon në gjëra që zgjasin përjetësisht!
Është gjë e mirë të jesh i krishterë, por nuk jemi të krishterë vetëm për të qenë të shpëtuar, të sigurt kur të largohemi nga kjo tokë. Për sa kohë jemi këtu, kemi mundësi të ndikojmë. Çdo person ka ndikimin e tij. Nëse ke zgjedhur të besosh dashurinë e Zotit ndaj teje, të zgjedhësh Jezu Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar, atëherë ti ke mundësi për të ndikuar. Ti je këtu për të tjerët, për të bërë për ta. Urdhërimi i madh është: "Duaj Zotin, duaj veten, duaj të tjerët."
"Duaj të tjerët si veten," thotë Shkrimi, që i bie se nëse nuk e do veten siç duhet, si do të duash të tjerët? Ti do Zotin; e kupton sesa të do Ai, e kupton identitetin tënd të ri, që do të thotë se e di kush je në Zotin, e do veten, dhe pastaj mund të duash të tjerët.
Jezusin së pari, veten së dyti, të tjerët së treti.
Arsyeja pse ka kaq shumë mërzitje në jetën e përditshme është sepse njerëzit mendojnë vetëm për vete. Janë të zënë me veten e tyre dhe kaq; për mua, imja, për veten time. Kur ke një qëllim më të madh se vetja jote, je më i gëzuar, më shumë se ç’mund ta imagjinosh. Nuk ka jetë pa sfida. Nëse po e pret një jetë të tillë, do presësh gjatë. Por ti e di që Zoti ka një qëllim më të madh sesa problemi që po kalon sot.
Lutje: “Zot, të falenderoj që je me mua në çdo rrethanë. Më ndihmo të kem një perspektivë të re, të vendos prioritetet që kanë vërtet rëndësi, të marr forcë prej Teje kur lodhem, dhe të jetoj çdo ditë me një qëllim që nderon Ty. Jezus, dua të jesh arsyeja ime për të jetuar. Amen.”
Rreth këtij plani

Zbulo si të kesh gëzim që zgjat, pavarësisht rrethanave! Ky plan të ndihmon të shohësh njerëzit me një sy ndryshe dhe të gjesh të mirën në çdo marrëdhënie. Bashkohu që të mësosh si të gëzohesh çdo ditë me ata që ke pranë!
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en