A Është Gëzimi Ngjitës?Shembull

Udhëtimi ynë përmes këtij plani ka qenë një thesar plot të vërteta frymëzuese. Sot e mbyllim me dy mjete të çmuara se si ta mirëmbajmë gëzimin, por si fillim le të shohim tre llojet e rrethanave:
a. Rrethanat momentale. “Jam me nerva se kam uri.” Po lëre telefonin ose fik televizorin dhe shko bëj diçka për të ngrënë.
b. Rrethanat që mund t’i kontrolloj, por përtoj. “Hajde se po përtoj, do mësohem të jem i kënaqur me kaq.” Kjo është përtaci. Nëse mund ta ndryshosh situatën ku je, nuk ke nevojë të mësosh, çohu dhe jepi drejtim.
c. Rrethanat që nuk i kontrolloj dot. Ka shumë të tilla. Këto janë gjërat ku duhet të mësohesh të jesh i kënaqur, kur rrethanat janë të pakontrollueshme nga ty. Janë përtej mundësive të tua. Ti bëre maksimumin, por nuk ndodhi asgjë. Këtu është momenti kur ti mëson si të qetësohesh, si t’i besosh Zotit, të përshtatesh dhe të mos bësh krahasime me të tjerët.
Disa herë duhet t’i përshtatemi jo vetëm rrethanave, por edhe njerëzve, kur ata nuk ndryshojnë.
E di kush ia ka gjetur anën përshtatjes? Ai që ka sens humori, që di të bëjë humor, gallatë, me gafat e tij, me problemet që i dalin, me vështirësitë. Këta tipa gjejnë diçka për të qeshur, mes të gjitha halleve. Nëse nuk përshtatesh, ose do thyesh në mes, ose do kalosh në depresion.
Lum ata që janë fleksibël sepse ata nuk do të ngelin pa formë; nuk do të thyhen gjatë procesit të jetës.
3. Mëso si të varesh te fuqia e Krishtit.
Përderisa të jesh i kënaqur mësohet, unë do të mësoj çdo gjë që duhet mësuar. Do të mësoj që, në vend që të varem nga fuqitë e mia në ditët e sfidave dhe vështirësive, të varem te fuqia e Krishtit. Ja si thotë vargu tek Filipianëve 4:13 (ALBB) 'Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon.'
A e di se si kuptohet kur po varesh nga fuqia jote? Kur je i lodhur gjithë kohës. Kjo ndodh sepse po e jeton jetën me forcat e tua, nuk po varesh te Perëndia.
Çfarë është diçka për të cilën të nevojitet fuqia e Perëndisë? Çfarë është diçka që ka dalë jashtë kontrollit? A duhet të kontrollosh kohën, mënyrën e të folurit, durimin, apo një zakon të keq? Çfarë është një hall i madh që ke përpara?
Çdo gjë, për çdo situatë, ti mund t’ia dalësh. “Kam besim se mund t’ia dal. Dhe ky është besim jo në fuqinë time, por në fuqinë e Krishtit.”
Kjo është e bukur: fjala në gjuhën origjinale për fuqi është "dynamo", nga e cila vjen fjala dinamit. Dinamiti përdoret për shpërthim dhe krijon fuqi dhe energji për të thyer gurë e shkëmbinj. Për këtë lloj fuqie po flet Pali.
Mjaftueshmëria = I Kënaqur.
I kënaqur je kur s’je i varur nga rrethanat.
Perëndia lejon të kalojmë nëpër probleme në jetë, që ne të mësohemi të jemi të kënaqur dhe të arrijmë në pikën ku të themi: "Perëndia më mjafton." Atëherë fuqia e Tij del në pah; shpërthen fuqia e Tij në jetën tonë.
4. Mëso T’i Besosh Perëndisë Që Ai T’i Plotësojë Nevojat e Tua.
Pali na tregon se si të jemi të kënaqur në jetë duke besuar se Perëndia do të plotësojë të gjitha nevojat tona. Ai thotë te Filipianëve 4:19 (ALBB) 'Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krisht.'
Ky është një sekret i bukur për kënaqësinë, sepse Perëndia do të plotësojë çdo nevojë.
Kur merr siguracionin e makinës, të pyesin se çfarë lloj siguracioni dëshiron. Ajo që ka rëndësi është të kesh një mbulim të plotë. Në Bibël, Perëndia na ofron mbi 7,000 premtime që veprojnë si siguracioni ynë. Ndërsa e lexojmë dhe e shqyrtojmë këtë “kontratë sigurimi”, kuptojmë se sa shumë mbulon Perëndia në jetën tonë.
Ai premton se do të mbulojë të gjitha, dhe besoj se kur Ai premton diçka, e mban.
Kur e vendosim Perëndinë të parin, Ai premton se do të kujdeset për nevojat tona. Një nga arsyet pse njerëzit nuk janë të lumtur, të pa-ngopur, dhe të pa-plotësuar është sepse Jezus Krishti nuk është në qendër të jetës së tyre. Ata shpesh kërkojnë kënaqësi në vende të tjera, duke vrapuar nga njëri vend në tjetrin, duke kërkuar diçka që t’i ngopë.
Por Perëndia e ka thënë shumë qartë: Ti je krijuar nga Perëndia dhe për Perëndinë, dhe atë boshllëk që po përpiqesh ta mbushësh me diçka tjetër, nuk e mbush dot, sepse vetëm Ai mund ta mbushë.
Kur je i pakënaqur, me shumë gjasa kjo vjen sepse Krishti nuk është në qendër të jetës tënde. “Nuk jam i kënaqur, po shikoj, po kërkoj për diçka që të më kënaqë, të më ngopë.”
Jezusi tha: "Unë kam ardhur që të keni jetë dhe ta keni me bollëk." Dhe jeta me bollëk vjen kur ke mësuar si të jesh i kënaqur.
Lutje: “Zot, më ndihmo të jem i kënaqur në çdo rrethanë, duke u mbështetur jo në forcat e mia, por në fuqinë Tënde.
Më jep zemër të butë dhe besim të fortë që të të besoj në çdo hap.
Plotëso nevojat e mia sipas pasurisë sate të pafundme, o Atë besnik.”
Rreth këtij plani

Zbulo si të kesh gëzim që zgjat, pavarësisht rrethanave! Ky plan të ndihmon të shohësh njerëzit me një sy ndryshe dhe të gjesh të mirën në çdo marrëdhënie. Bashkohu që të mësosh si të gëzohesh çdo ditë me ata që ke pranë!
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en