Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

A Është Gëzimi Ngjitës?Shembull

A Është Gëzimi Ngjitës?

DITA 6 NGA 13

A e di se një nga shkaktarët dhe hajdutët më të mëdhenj të gëzimit janë konfliktet dhe grindjet? Konfliktet mund të ta vjedhin gëzimin. Megjithatë, ato janë një pjesë e pashmangshme e jetës, sepse jetojmë të rrethuar nga njerëz.

Si mund t’i trajtojmë konfliktet në mënyrën e duhur?

Nëse ka unitet mes njerëzve me të cilët jeton, ka sukses. Sigurisht, jo gjithmonë varet nga ti; ti shkon të kërkosh falje, por ai/ajo nuk do. Ti i zgjat dorën, por ai ta kafshon. Ka edhe raste të tilla ekstreme, ku janë hakmarrës të thekur.

Por ama, aq sa varet nga ty, do të thotë që ti bën çdo përpjekje që varet nga ty, sepse uniteti sjell sukses. Për të pasur një familje të mirë, kjo vjen kur bashkëpunoni së bashku në një mendje të gjithë.

Që skuadra të jetë e mirë – skuadër pune, futbolli, apo projekti – duhet të jenë në unitet, të bashkëpunojnë.

Për të pasur një qeveri të suksesshme, duhet të bashkëpunojnë të gjithë: parlamenti, qeveria, presidenti.

Për të pasur një kishë të suksesshme, duhet të bashkëpunojnë sa më ngushtë të gjithë.

Po filloi, njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit, e merr lumi unitetin; fillojnë konfliktet, gëzimi ikën, fuqia bie. Shumë pak gjëra në jetë arrihen vetëm. Rrallëherë është suksesi fryt i punës së një personi të vetëm. Duhet ndihma e njërit, e tjetrit dhe atij tjetrit. Siç e kemi atë fjalën e urtë shqiptare: "Njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën."

Kur ka unitet, ka fuqi, ka potencial. POR, për shkak se jetojmë me njerëz që kanë botën, bindjet, këndvështrimet dhe edukimin e tyre, që vijnë nga familje të ndryshme, ndodh që njerëzit jo gjithmonë ia dalin të punojnë mirë me njëri-tjetrin.

Kështu që, sot do të shikojmë:

Si ta zvogëlosh konfliktin dhe si të rritësh bashkëpunimin, qoftë në familje, punë, shkollë, skuadër apo shërbesë...

Te Filipianët, kapitulli 2, Pali flet pikërisht për këtë gjë. Ja si e fillon ai:

Filipianëve 2:1-2 (ALBB) 'Pra, në qoftë se ka ndonjë ngushëllim (inkurajim) në Krisht, ndonjë ngushëllim dashurie, ndonjë pjesëmarrje të Frymës, ndonjë mallëngjim (butësi) e dhembshuri, atëherë e bëni të plotë gëzimin tim, duke pasur të njëjtin mendim, të njëjtën dashuri, një unanimitet dhe një mendje të vetme.'

Pali na jep disa gjëra që sjellin unitet, dhe ja çfarë kemi:

* Duke pasur të njëjtin mendim, të njëjtën dashuri, një unanimitet, një mendje.

1. Konkurrimi i Gabuar
Kjo ta vjedh gëzimin, sepse shpesh garojmë dhe jemi në konkurrim me njerëzit e gabuar, me njerëzit në skuadrën tonë. Në vend që të plotësojmë njëri-tjetrin, ne konkurojmë me njëri-tjetrin dhe kështu krijohen konflikte me njerëzit që i duam më shumë. Konkurrojmë me partnerin, me shokun e ngushtë, apo me personin me të cilin jemi lidhur.

Filipianëve 2:3 (ALBB) 'Mos bëni asgjë për rivalitet…'

Mos i bëni gjërat vetëm për t'ia kaluar tjetrit. Kjo ta vjedh gëzimin.

Edhe pse je rritur, mbetet ende një dell konkurrimi mes njerëzve që i do më shumë. Por ata janë në skuadrën tënde, ata janë me ty. Ky është një konkurrim i gabuar, që do të sjellë konflikt dhe do të të vjedhë gëzimin.

Kur garoni në këtë lloj konkurrimi të gabuar, me njerëzit që keni më të afërt, me ata që dashuroni, gëzimi ia fut vrapit.

Jakobit 4:1-2 (ALBB) 'Nga vijnë luftërat dhe grindjet te ju? A nuk vijnë, nga pasionet që luftojnë ndër gjymtyrët tuaja? Ju lakmoni dhe nuk keni…'

Të parat që sjellin konflikte janë pasionet, dëshirat që luftojnë e konkurrojnë brenda teje. Bota përreth na mëson se na duhet një kënaqësi e menjëhershme, tani. Dhe kur nevojat e mia përplasen me nevojat e tua, kemi telashe. Jetojmë në një botë shumë konkurruese.

POR, nëse do të kesh unitet, shiko me kë po konkuron. A mos je duke konkuruar me njerëzit më të afërt, me ata që duhet të jesh më afër se me të tjerët?

2. Delete (fshije) Mendjemadhësinë
Me siguri që truri duhet të ketë diku një buton "DELETE", ashtu siç ka telefoni. Shaka!

Ruaju krenarisë. Mos i bëj gjërat vetëm për t'u dukur, që të të shohin të tjerët dhe të të lavdërojnë apo përgëzojnë. Dhe që të shohin se sa i zoti je ti, sikur ke rënë nga qielli, perfekt, dhe që të gjithë kanë nevojë ta shikojnë këtë gjë... Kjo sjell grindje. Krenaria jote sjell tensione...

Filipianëve 2:3 (ALBB) 'Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, …'

Po bëhet gjithnjë e më e vështirë, sepse vargu thotë "ASGJË." Kjo do të thotë që duhet t'i bëjmë "DELETE" mendjemadhësisë, sepse nuk na duhet asnjëherë – nuk duhet të bëjmë asgjë për mendjemadhësi.

Çfarë do të thotë egoist? Të jesh i fokusuar vetëm te vetja. A të jap një përshkrim tjetër, që ta kemi edhe këtë?
Egoist do të thotë: "Nuk shoh asgjë, askënd përveç vetes."

“Sa i mirë që jam! Sa i zoti, sa e zonja! Pa mua, kjo botë do të ishte... pa mua s'bën dot, pa mua...”

Këto deklarata janë të frikshme. E di pse?

Fjalët e urta 13:10 (ALBB) 'Nga krenaria rrjedhin (vijnë) vetëm grindjet, …'

Krenaria sjell grindje, dhe grindjet përzënë gëzimin.
Shkaku i parë i konfliktit është konkurrimi i gabuar, dhe i dyti është krenaria, mburrja, mendjemadhësia.

Kur nuk e pranon që e ke gabim, kjo sjell grindje, sepse të gjithë e dimë që ti nuk je i përkryer. Të thuash që nuk gabon kurrë? Gabimi i parë është se sapo gënjeve. Nëse ia gjen anën dhe i bën "delete" mendjemadhësisë, njerëzit do të kenë dëshirë të rrinë me ty, sepse je me këmbë në tokë. Përderisa Shkrimi thotë "mos bëni asgjë me mendjemadhësi," bëji "delete" fare, nuk të duhet.

Lutje: “Zot, më ndihmo të jem i përulur dhe i gatshëm për paqe. Largo nga unë krenarinë dhe dëshirën për të konkuruar me ata që dua. Mbush zemrën time me dashuri, mirëkuptim dhe unitet, që gëzimi Yt të mbretërojë në çdo marrëdhënie. Amen.”

Dita 5Dita 7

Rreth këtij plani

A Është Gëzimi Ngjitës?

Zbulo si të kesh gëzim që zgjat, pavarësisht rrethanave! Ky plan të ndihmon të shohësh njerëzit me një sy ndryshe dhe të gjesh të mirën në çdo marrëdhënie. Bashkohu që të mësosh si të gëzohesh çdo ditë me ata që ke pranë!

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en