A Është Gëzimi Ngjitës?Shembull

A ke vënë re si kritika shpesh vjen më natyrshëm se fjalët e mira? Në një botë ku tallja, ironia dhe ngritja e vetes në kurriz të tjetrit janë bërë normë, Bibla na fton të zgjedhim një rrugë krejt ndryshe — përulësinë. Jo si nënçmim i vetes, por si nderim i tjetrit.
Do të vazhdojmë t’i përgjigjemi pyetjes së djeshme: Si ta zvogëlosh konfliktin?
3. Zvogëloji Kritikat
Pse kemi qejf të luajmë me fjalë, ta ulim tjetrin duke e tallur, duke e kritikuar së pari, duke vënë në pah gjërat që nuk i ka fiks siç duhet?
"Ja si flet, si katunar/fshatar."
"Ja si vishet, sikur po shkon me lopë."
"Ja si ha, ja si rri, ja si bën..."
Filipianëve 2:3 (ALBB) '…, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten.'
Ky varg nuk ka kuptimin e të poshtëruarit veten, duke thënë "Unë jam kot, ti je më i mirë." Por ka kuptimin e nderimit të tjetrit.
Mos i ul të tjerët; çmoji më shumë se veten.
Kjo është e vështirë, një koncept radikal! Edhe pse është në Bibël prej 2 mijë vitesh, ende nuk e kemi përvetësuar këtë parim.
“Të çmoj tjetrin më shumë se veten? Me përulësi?”
Kjo është e kundërta e asaj që na mëson kultura përreth nesh. Jemi të rrethuar nga mëngjesi deri në darkë me njerëz që mendojnë se janë më të mirë, më të zotë se të tjerët. Egoizmi është vendosur në piedestal, aq sa po bëhet pjesë e karakterit tonë.
Përulësia — Nuk do të thotë të mendosh më pak për veten, por të mos mendosh fare për veten.
Ta heqësh fokusin nga vetja dhe të përqëndrohesh te të tjerët.
Përulësia është ajo cilësi, që në momentin që thua se e ke, atëherë e ke humbur.
Sa herë që unë gjykoj dikë, po zë vendin e Perëndisë.
Puna është se është kënaqësi kur kritikon. Kemi qejf t’i vëmë në lojë të tjerët, sepse kjo na bën ne të dukemi superiorë.
Na është krijuar ideja se mund të rritemi duke ulur të tjerët. Por Bibla thotë të kundërtën: "Çmoje tjetrin më shumë se veten."
Nëse do të largosh konfliktet nga jeta jote, zvogëloji kritikat që po bën ndaj të tjerëve. Na vjen shumë natyrshëm të gjykojmë dhe do pak sforcim për të gjetur diçka të mirë për t’i komplimentuar, për të inkurajuar dikë.
Por duke i kritikuar së pari, nuk do kemi mendjen ta vlerësojmë dikë. Duke mos e vlerësuar, s’do ta çmojmë siç e meriton ai person, dhe gëzimi do të mungojë.
4. Trego Interesim
Filipianëve 2:4 (ALBB) 'Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.'
Mos mendo vetëm për vete, por shiko edhe nevojat e të tjerëve. Kushtoji vëmendje nevojave që kanë ata përreth teje.
Sepse kur kërkojmë vetëm për gjërat që na duhen ne, pa u shqetësuar për nevojat e atyre që na rrethojnë në familje, në punë, në shkollë kjo sjell konflikt. Interesimi tregohet kur shikon dhe mendon për dikë tjetër.
5. Qëndrim si i Jezusit
Ëmbëlsira për në fund: të kem qëndrim si i Jezusit e rrit gëzimin tim.
Shiko si thuhet tek Filipianëve 2:5 (ALBB) 'Kini në ju po atë mendje që ishte në Jezu Krishtin,'
Jezusi ishte mjeshtër i marrëdhënieve me njerëzit. Ai është modeli ynë për çdo gjë, por sigurisht edhe në lidhje me marrëdhënien e tij me njerëzit. Nëse do të dish se si të merresh me njerëzit, madje edhe me ata që janë shumë të ashpër dhe s’kanë ndjenja, shiko një herë si u mor Jezusi me ta.
Ki edhe ti të njëjtën ndjenjë që kishte Jezusi, të njëjtin qëndrim si Ai. Si ishte qëndrimi i Tij?
E shohim tek Filipianëve 2:6 (ALBB) 'i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë,'
Jezusi nuk kërkoi të drejtat e tij. Jezusi nuk e çmoi faktin se kush ishte si një gjë për të cilën të mbante fort. E dorëzoi atë fakt para Perëndisë.
Filipianëve 2:7 (ALBB) 'por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit;'
Si kuptohet kur dikush ka një qëndrim shërbëtori? A kuptohet? Si do të reagosh ti nëse të tjerët e dinë që ti ke një qëndrim shërbëtori, ose do të të trajtonin si shërbëtorin e tyre? Jezusi mori trajtë, formë shërbëtori; Ai tha: "Jam këtu për të shërbyer." Ai ishte lider shërbëtor.
Filipianëve 2:8 (ALBB) 'dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit.'
Ai ishte i gatshëm për të sakrifikuar për të mirën e të tjerëve deri në fund, deri në vdekje.
Shiko, është e pamundur që ti vetë, me forcat e tua, të jetosh një jetë jo-egoiste. Nuk bëhet, sepse natyra njerëzore të shtyn të mendosh për vete. Të gjithë e kemi këtë pjesë të natyrës së vjetër që do të veprojë për interesa personale.
Prandaj kemi nevojë të kemi qëndrim si ai i Jezusit.
Kjo do të thotë, nëse nuk kemi Krishtin brenda nesh, shanset janë që jetët tona do të jenë shumë egoiste.
Efesianëve 4:3 (ALBB) 'duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes.'
Fryma sjell unitet në jetët tona, në familjet tona.
Për të ecur sa më mirë me njerëzit e tjerë, kemi nevojë të rritemi sa më shumë si Jezusi. Çdo ditë duhet të zgjedhim të bëjmë gjërat siç do t’i bënte Ai.
Çdo ditë, le të zgjedhim të vendosim tjetrin para vetes, zgjedhim t’i shërbejmë dikujt, të ngremë dikë, jo ta ulim poshtë. Zgjedhim të sakrifikojmë që dikush tjetër të përfitojë, sepse duam të bëhemi më shumë si Jezusi. Dhe ky është sekreti i gëzimit që zgjat.
Lutje: “Zot, më ndihmo të mos kritikoj, por të flas me dashuri. Më jep zemër të përulur dhe sy për të parë të mirën te të tjerët. Dua të kem qëndrim si i Jezusit — të shërbej, të nderoj dhe të dua siç bëri Ai.”
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Zbulo si të kesh gëzim që zgjat, pavarësisht rrethanave! Ky plan të ndihmon të shohësh njerëzit me një sy ndryshe dhe të gjesh të mirën në çdo marrëdhënie. Bashkohu që të mësosh si të gëzohesh çdo ditë me ata që ke pranë!
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en