A Është Gëzimi Ngjitës?Shembull

Ankesat e thajnë gëzimin. Njerëzit që ankohen nuk janë të lumtur, dhe as ata që rrinë me ta. Problemi është se kur ankesat bëhen një stil jete, është e vështirë t'i heqim. Sepse natyrshëm si njerëz anojmë nga ana negative, duke e parë më lehtë të keqen. Por Bibla sugjeron diçka ndryshe. Le të shikojmë tek Filipianëve 2:14-15 (ALBB) 'Bëni çdo gjë pa u ankuar dhe pa kundërshtime, që të jeni të paqortueshëm dhe të pastër, bij të Perëndisë pa të meta në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur, në mes të të cilit ju ndriçoni si pishtarë në botë, duke e mbajtur lart fjalën e jetës,'
Sa vargje të bukura!
Po mirë, a jemi vetëm ne që ankohemi? A ka pasur njerëz që ankoheshin në Bibël? Sigurisht që ka pasur. Ja katër ankues dhe modele ankimi:
1. Davidi—Murmuritsi
Njerëzit si Davidi, që kur ngrihen nga krevati janë negativë! Davidi ankohej shumë, dhe e gjen këtë në Psalme.
Psalmet 73:13 (ALBB) 'Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time.'
Si do tingëllonte në përditshmërinë tonë?
“Më kot u lodha, nuk është e drejtë; unë nuk e meritoj këtë gjë. U bëra djalë i mirë, e pastrova zemrën, fillova të jetoj me parime... u bëra një vajzë e mirë me norma, por kot, kot po lodhem. Të gjithëve u ecën më mirë se mua, unë po punoj me të drejtë, po studioj me të drejtë. Të gjithë u lidhën, vetëm unë jo; të gjithë kanë fëmijë, vetëm unë jo; të gjithë kanë rroga të mira, vetëm unë jo; të gjithë kanë shtëpi, vetëm unë jo; të gjithë bëjnë pushime në jug, vetëm unë jo; të gjithë... kanë djem, unë jo; kanë vajza, unë jo... të gjithë kanë iPhone, vetëm unë jo.”
Shiko, troç fare: jeta është e padrejtë. E drejta do të jetë vetëm kur të jemi në qiell, në vendin e përsosur. Përsa kohë jemi në tokë, ka padrejtësi. Në momentin që fillon të ankohesh që jeta nuk është e drejtë, thjesht e nxin më shumë, sepse padrejtësia do të jetë dhe do të mbetet gjithmonë. Murmuritja nuk të jep dorë; thjesht e nxin momentin dhe ditën më shumë.
2. Moisiu—Heroi
Shprehja e preferuar: 'Asnjë përveç meje.'
Këta njerëz, si Moisiu, janë mjeshtrat e ankesave.
Kur ata janë të sëmurë, me grip, ose kur i dhemb diçka, ose kur janë në presion, ata të thyejnë në mes me ankesat.
Kur ty nuk të del ashtu siç doje, a ia fillon muzikës edhe ti: “Unë, vetëm unë, pa mua, ta shohin, po ika unë...”
A fillon fushatën e ankesave kur nuk të del aty ku doje ti?
3. Salomoni—Ciniku
Shprehja e preferuar: “Asgjë nuk do të ndryshojë. Më dëgjo, kështu ka për të qenë gjithmonë. Më dëgjo mua. Dru ka për të ngelur ai, edhe ajo.”
Salomoni, çfarë nuk bëri, çfarë nuk arriti! Pastaj ankohet: "Kot fare, çdo gjë është kot."
Si do dukej në të sotmen tonë?
“Pse të shkoj në punë? Kot është puna. Pse të mësoj? Kot është shkolla. Pse të bëj këtë? Kot. Pse të martohesh? Kot është. Pse..? Kot!”
4. Perfeksionisti
Për këtë njeri, nuk ka asgjë që shkon mirë. Kurrë nuk është ashtu siç e do ai/ajo. Gjithmonë mungon diçka.
Shprehja e tij/saj e preferuar: “Kaq di të bësh ti?”
Sidomos në çift, në martesë, perfeksionisti bëhet i lodhshëm.
Do të lexoj dy vargje që flasin për gruan, por mendoj se aplikohen edhe për burrat/djemtë.
Perfeksionisti është grindavec. Asgjë nuk ia mbush syrin. Gjithmonë duke debatuar për diçka që nuk shkon.
Shiko, ankesat e thyejnë frymën e ngrohtë të familjes, harmoninë. Grindja nuk të ndihmon; thjesht e bën situatën më të keqe për të dy.
Po si t'ia bëjmë, sepse Bibla thotë: 'Bëj çdo gjë pa u ankuar dhe pa kundërshtime,' pa e bërë të vështirë gjithmonë. A bëhet? Po mirë, si bëhet?
Eja nesër për të parë 5 parime se si bëhet kjo gjë.
Lutje: "Zot, më ndihmo të jetoj pa ankesa dhe të gjej paqe në çdo situatë. Mbush zemrën time me mirënjohje dhe më drejto në çdo hap, në emër të Jezu Krishtit, Amen."
Rreth këtij plani

Zbulo si të kesh gëzim që zgjat, pavarësisht rrethanave! Ky plan të ndihmon të shohësh njerëzit me një sy ndryshe dhe të gjesh të mirën në çdo marrëdhënie. Bashkohu që të mësosh si të gëzohesh çdo ditë me ata që ke pranë!
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en