Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

A Është Gëzimi Ngjitës?Shembull

A Është Gëzimi Ngjitës?

DITA 9 NGA 13

Deri tani kemi parë sa lehtë është të biesh në grackën e ankesave. Por Bibla nuk na lë me kaq! Zoti nuk na thërret thjesht të mos ankohemi… Ai na jep edhe fuqinë dhe parimet që na ndihmojnë ta bëjmë këtë.

Si të bëj çdo gjë pa u ankuar dhe pa kundërshtime?

1. Pranoj, “Kjo Gjë Është Problem”

Pranoje që të jesh ankues gjithë kohës është një problem që e ke, dhe është dëm për ty. Sepse aty është fillimi. Ja si thuhet te Fjalët e urta 28:13 (ALBB) 'Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.'

Kjo është pjesa e vështirë: ta pranosh kur e kupton që je ankues. Po sikur të kishte diçka që të të regjistronte ty për një javë, kudo që je: në shtëpi, në shkollë, në punë, në autobuz, në rrugë, para se të flesh, sapo zgjohesh… çdo moment të ditës për një javë?

Sa kohë të kësaj jave kalon duke u ankuar, grindur, murmuritur, kundërshtuar… sa herë thua në një javë: 'jeta është koti', 'jeta ta shpif', 'jeta kështu', 'jeta ashtu'...

Nëse je ankues dhe të është bërë ves, e para: pranoje dhe rrëfeje.

Të jesh ankues nuk është thjesht një ves; është mëkat. Prandaj, si mëkat, duhet të rrëfehet. Është mëkat, është një gjë serioze.

2. Pranoj Pjesën Time të Përgjegjësisë

Shpesh ankohemi dhe tentojmë të fajësojmë të tjerët për probleme që ia kemi sjellë vetes. Kemi qejf ta kalojmë stafeten; na bën të ndiheni më mirë. Ja si thuhet te Fjalët e urta 19:3 (ALBB) 'Budallallëku i njeriut e bën rrugën e tij të rrëshqitshme dhe zemra e tij pezmatohet kundër Zotit.'

Interpretimi i këtij vargu do të ishte: Disa bëjnë rrëmujë vetë në jetën e tyre dhe marrin inat Zotin.

Ankesat janë një formë papërgjegjshmërie që të mos kuptohet se është faji yt.

Nëse po korr atë që ke mbjellë, s’ke të drejtë të ankohesh.

Ti je i lirë, deri në momentin kur zgjedh në jetë. Pastaj s’je më i lirë; pastaj do korrësh bekimet ose pasojat.

Në jetë ka tre lloje njerëzish: ata që akuzojnë, ata që justifikohen dhe ata që i japin drejtim punës duke zgjedhur.

Akuzuesit thonë: “Po nuk ishte faji im, është faji atij, asaj.” Kur Adami mëkatoi, nuk i doli për zot mëkatit dhe nuk tha: “Kemi mëkatuar, o Zot, kjo është e vërteta, ia futëm kot. Çfarë duhet të bëjmë tani?” Por çfarë tha? “E ka fajin gruaja.”

Justifikuesit thonë: “Jam produkt i këtij ambienti. Nuk është faji im. Kam lindur këtu; po të kisha lindur në perëndim, po të kisha lindur në Afrikë, në Kinë, e di se çfarë kinezi i bukur do isha...”

Por ama, njerëzit që ecin para janë ata që zgjedhin, që i japin drejtim punës. “Po, këtu kam lindur, por ose do bëj diçka, ose do iki nga ky vend. Po, në shkollë jam, por do shkëlqej; po këtë punë kam, por unë do jem i zoti në këtë gjë, do jap maksimumin tim, shikohet ose jo. Do e bëj çdo gjë sikur do ia paraqes Zotit. Jo si punë për t'u bërë, si detyrë për t'u bërë, jo si 'hajt mo'. Jo, jo; unë jap më të mirën në atë që bëj.”

3. Kam Qëndrim Falenderues

Thuhet në Bibël, tek 1 Thesalonikasve 5:18 (ALBB) 'Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.'

Qëllimi i Perëndisë për jetën tënde është më i madh sesa rrethanat që po kalon tani.

4. Shikoj për Dorën e Perëndisë

Nëse do të dalësh dhe të fitosh mbi ankesat, kërko të shohësh ku është dora e Perëndisë në këto rrethana ku je tani.

2 e Korintasve 4:17-18 (ALBB) 'Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie; ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme.'

A do kemi probleme? Do të kemi. Por mënyra se si i shikon do të tregojë nëse ke qëndrimin e duhur apo jo. Për shkak se ti e di që Perëndia do bëjë që gjërat të bashkëveprojnë për mirë për ty, ti ke për të parë, për të mësuar diçka të re gjithmonë, pavarësisht rrethanave dhe situatave.

Do të kuptosh se problemi është i përkohshëm, dhe do të shikosh dorën e Perëndisë: çfarë po të mëson, si po të mbron, si po siguron për ty. Perëndia po i sjell gjërat drejt qëllimit të Tij për jetën tënde. Qëllimi i Tij është më i madh se problemi që po kalon.

Troç fare, a e di pse thuhet kaq herë 'mos u ankoni'? Pse përmendet kaq shpesh? Sepse në thelb, ankesat janë rebelim ndaj Perëndisë. Kur ankohemi për gjërat që po kalojmë, po themi: “Perëndi, nëse do isha unë në vendin tënd, do i bëja gjërat më mirë. Nëse do ta kisha unë në kontroll botën, do e drejtoja më mirë se Ti.” Ankimi është një formë rebelimi. A duket i tillë nga këndvështrimi yt?

Kur ankohem:

1.Po vë në dyshim urtësinë e Perëndisë.

2.Po dyshoj kujdesin e Perëndisë.

3.Po harroj mirësinë e Perëndisë.

E di si mund t’i ndryshosh ndjenjat?
Mund t’i ndryshosh duke ndryshuar veten tënde. Në vend të mallkosh errësirën, ndiz një qiri!

5. Fol Pozitivisht Më Shpesh

Të ankuarit mund të kthehet në zakon. Zakonet ndryshojnë kur i zevëndëson me një zakon të ri.

Po sikur t’i zëvëndësosh fjalët negative me fjalë pozitive? Ja si thuhet te Efesianëve 4:29 (ALBB) 'Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t'u japë hir atyre që dëgjojnë.'

Bibla thotë: Asnjë!

Nëse nuk thua dot fjalë ndërtuese, mos fol fare.

Po mirë, pse gjithë kjo vëmendje?

Ja, bëmë gjithçka pa ankesa dhe kundërshtime. Çfarë do të ndodhë? Çfarë përfitimi do të kemi?

… të jeni të paqortueshëm…

Kur ti nuk ankohesh, askush nuk mund të gjejë gabime tek ty. Asnjë nuk mund të thotë, 'E tha filani, ' sepse ti je i paqortueshëm, je i shkëlqyer.

… të jeni të pastër…

Kjo do të thotë të kesh integritet. Ata që s’janë ankues janë më të ndershëm.

Shiko, kultura jonë është kaq negative, saqë kur gjen dikë që flet fjalë pozitive dhe thotë fjalë të ëmbla, ai/ajo bie në sy direkt. Ndriçon si pishtar në mes të errësirës.

Si mund të sjellësh ndikim në botën që të rrethon ty? Shiko qëndrimin që ke. Ji pozitiv në një botë kaq negative.

Perëndia vepron në ty, me fuqinë e Tij, që të bëhet vullneti i Tij. Nuk thuhet: "Ti je i zoti, ti je e zonja," por thuhet: "Perëndia është Ai që vepron në ty."

Nga kuptohet se po e lejon Perëndinë të veprojë në ty? Shenja e parë është: kontrollo qëndrimin tënd. A je ankues apo jo?

Të duhet fuqi përtej fuqisë tënde. Të duhet fuqi nga Jezus Krishti. Ai është ilaçi për familjet tona, për shoqëritë tona.

Ai na bën të rinj. Që këto gjëra që dëgjove, jo vetëm t’i dëshirosh, por edhe të duash t’i zbatosh. Nëse ankuarit është bërë një zakon i fortë në ty, duhet fuqi përtej vetes për ta thyer dhe për të ndryshuar nga brenda jashtë.

Lutje: "Zot, më jep forcë të ndryshoj qëndrimin tim dhe më mbush me mirënjohje në çdo rrethanë. Më ndihmo të mos ankohem, por të besoj tek Ti në gjithçka."

Dita 8Dita 10

Rreth këtij plani

A Është Gëzimi Ngjitës?

Zbulo si të kesh gëzim që zgjat, pavarësisht rrethanave! Ky plan të ndihmon të shohësh njerëzit me një sy ndryshe dhe të gjesh të mirën në çdo marrëdhënie. Bashkohu që të mësosh si të gëzohesh çdo ditë me ata që ke pranë!

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en