Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

A Është Gëzimi Ngjitës?Shembull

A Është Gëzimi Ngjitës?

DITA 3 NGA 13

Po ecim përpara në këtë udhëtim me katër hapa të thjeshtë, por shumë të fuqishëm, për të ndërtuar marrëdhënie më të gëzueshme dhe më të shëndetshme.

Në ditën e parë, mësuam të jemi mirënjohës për të kaluarën—për momentet e mira që kemi përjetuar me njerëzit në jetën tonë. Në ditën e dytë, mësuam të luteshim pozitivisht për ta, duke besuar që lutjet me gëzim kanë fuqi të ndryshojnë zemra.

Sot, në ditën e tretë, do të shohim:

3. Ji i duruar në procesin e ndryshimit.

Kur Pali shikonte njerëzit, nuk shikonte vetëm të shkuarën. “A ti, ti, je një horr, ti që në shkollë të mbaj mend kështu; mistrec je...”

Jo, ai shikonte të ardhmen e tyre; shikonte potencialin dhe ishte i duruar në procesin e ndryshimit të tyre.

Filipianëve 1:6 (ALBB) 'duke qenë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit.'

Perëndia që e filloi diçka tek ty, në momentin që u shpëtove, Ai do ta çojë deri në fund. Nuk thotë: "Ty s’ka gjë që të ndryshon; dru do ngelesh, ti kështu do jesh gjithë jetës..."

Perëndia që nisi diçka në ty, tek ne, do ta çojë deri në fund.

Ne si njerëz jemi shumë të zotë për të filluar diçka, por jo aq të aftë për ta çuar deri në fund siç duhet. E nisim me vrull dhe pastaj na bie vrulli; shpesh e lëmë pa e përfunduar. Në periferi të çdo qyteti do gjesh shtëpi të papërfunduara. Ka gjasa çdo person ka nisur një libër dhe s’ka arritur ta çojë deri në fund. Fillon mirë viti shkollor, pastaj në fund ‘mysybet.’ Njerëzit shpesh nuk e përfundojnë çdo gjë që fillojnë.

Por Perëndia gjithmonë e përfundon atë që fillon. Ai nuk krijoi shqiponjën dhe e la me një krah; nuk e la pa përfunduar. Ai nuk ka krijuar lule me gjysma, apo yje me gjysma. Ai e mbylli siç duhet çdo gjë dhe sa herë e përfundoi diçka, tha: “Është e mirë.”

Bibla thotë: Kur Jezu Krishti fillon të punojë në jetën tënde, Ai do ta plotësojë atë që filloi. Pavarësisht gabimeve tona, ngadalësisë tonë, vendimeve të gabuara, mëkateve tona, pavarësisht rrethanave me të cilat përballemi, Perëndia do ta përfundojë atë që nisi në jetët tona.

Kështu që: Perëndia nuk ka mbaruar punë me atë person.

Pra, le të jemi të duruar me progresin e tyre. Për të gëzuar me njerëzit që kemi përreth, duhet të jemi të duruar me progresin dhe rritjen e tyre.

Që do të thotë, “Sa mirë që nuk jam siç isha, dhe faleminderit Perëndisë, por ama po synoj për t'u rritur, përmirësuar, për të ndryshuar, pak më shumë…”

Pali ishte mirënjohës për gjërat e mira që kishte kaluar me filipianët, dhe lutej me lutje pozitive, lutej me gëzim dhe për gjëra specifike për ta…

Nëse do që dikush të ndryshojë qëndrimin e tij, në punë, shkollë, shtëpi, fillo lutu për të, për fëmijën, për shokun, për partnerin dhe shiko se çfarë do të ndodhë. Pastaj, ji i duruar me procesin, sepse rritja vjen në jetë, por ki durim në procesin e rritjes së tij/saj.

Jeta e krishterë është proces; të gjithë po bëhemi, të gjithë po rritemi. Për të gëzuar me njerëzit, duhet të festosh dhe të gëzohesh me progresin e tyre, jo të presësh deri kur të bëhen të përsosur për të gëzuar.

Filipianëve 1:6 (ALBB) 'duke qenë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit.'

“Duke qenë i bindur.” Pali besonte që është fuqia e Perëndisë që e ndryshon dikë. Ai besonte që për çdo njeri ka shpresë dhe nuk hiqte dorë nga askush. Ky është një premtim i bukur; thuaja vetes, thuaje për partnerin tënd, thuaje për fëmijët e tu.

Pali po thekson besimin; të besosh do të thotë që ti pret më të mirën nga ai tjetri. Ka shumë fuqi kur ti beson, kur ke pritje. Të tjerët kanë pritje nga ne, ne kemi pritje nga ata.

Lutje: “Zot, të falënderoj që Ti nuk heq dorë nga ne. Ti e fillon një punë të mirë dhe gjithmonë e çon deri në fund. Më mëso të jem i duruar me të tjerët, me veten dhe me procesin tënd të ndryshimit. Më ndihmo të gëzohem me çdo hap përpara, me çdo shenjë rritjeje. Jepmë sy që të shikoj përtej gabimeve dhe zemër që të besoj në atë që Ti po bën në ne. Faleminderit që nuk më ke braktisur dhe që do ta përfundosh punën tënde në jetën time. Amen.”

Shkrimet e Shenjta

Dita 2Dita 4

Rreth këtij plani

A Është Gëzimi Ngjitës?

Zbulo si të kesh gëzim që zgjat, pavarësisht rrethanave! Ky plan të ndihmon të shohësh njerëzit me një sy ndryshe dhe të gjesh të mirën në çdo marrëdhënie. Bashkohu që të mësosh si të gëzohesh çdo ditë me ata që ke pranë!

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en